Partizani do të luajë ndeshjen e kthimit me Iberia 1999 ditën e enjte në orën 20:00. Kjo sfidë do të zhvillohet në “Elbasan Arena” dhe është shumë e rëndësishme për rrugëtimin e “Demave” në Conference League.

Kryeqytetasit janë mposhtur 2-0 në duelin e parë dhe në “Elbasan Arena” do të luajnë “all-in” për fitoren dhe përmbysjen e madhe në mënyrë që Partizani të sigurojë kalimin në fazën tjetër. Por jo vetëm kaq, pasi në lojë janë edhe 1 milionë euro.

Aktualisht të kuqtë me pjesëmarrjen në turin e dytë të Conference League kanë siguruar 700 mijë euro.

Edhe nëse eliminohen në këtë fazë, 700 mijë euro është shuma që marrin “Demat”, por nëse ekipi i Orges Shehit sigurin kalimin në fazën tjetër atëherë fitimet do të shkonin në 1 milionë euro. Një motiv më shumë për lojtarët dhe stafin kryeqytetas për të synuar përmbysjen e madhe dhe për të vazhduar rrugëtimin e tyre në Conference League.