Ndaj Skocisë nuk luajti asnjëri si titullar në formacionin kuqezi. Njëri- Elseid Hysaj, ishte i skualifikuar me kartona dhe e ndoqi ndeshjen nga tribuna dhe vuajti jo pak duke parë skuadrën të dërrmohej në atë mënyrë në fushë.
Tjetri- Bekim Balaj, u mendua të ishte titullar por në fund, në mënyrë krejt të papritur trajneri Panuçi vendosi ta zëvendësonte me Manajn. Diçka e habitshme për më tepër që ndeshja luhej në Shkodër dhe Balaj kishte një motiv më shumë për të luajtur.
Por nesër në “Elbasan Arena” ndaj Uellsit pritet të jetë ndryshe. Si Hysaj edhe Balaj mendohet të jenë titullar në këtë takim. Stafi teknik padyshim që do të ndryshojë shumë gjëra në krahasim me ndeshjen ndaj Skocisë ku ekipi u turpërua me atë humbje 0-4.
Nga ana tjetër, rëndësia e takimit me Uellsin nuk është aq e madhe dhe për më tepër edhe pas sulmeve të fundit ndaj Panuçit për të cilin kjo ndeshje mund të jetë e fundit në timonin kuqezi. Gjithsesi, Hysaj e Balaj pritet të japin më të mirën e tyre edhe në këtë ndeshje.
© shkodrasport.com
Fotot nga Fatlum Kurtaj