Duket se Flamurtarit të ditëve të mira i erdhi fundit. Në dy ndeshjet e fundit ka marrë vetëm 1 pikë dhe nuk ka arritur që të gjejë rrugën e rrjetës.

Fat i keq për vlonjatët, të cilët tashmë jo vetëm që humbasin pikët, por edhe lojtarët e tyre më në formë.

Muarem Muarem deklaroi se ka një rupturë muskulore, që e nxjerr jashtë fushave për disa javë. Ndërsa në takimin kundër Luftëtarit u dëmtua edhe portieri Nurkoviç, i cili la lojën në mes.

Por, nga të dhënat paraprake që kanë nxjerrë mjekët e klubit kuqezi, mësohet se portieri i përfaqësueses së Kosovës do të mungojë të paktën një muaj.

Jo vetëm të hënën kundër Vllaznisë, por gjatë gjithë muajit mars gardiani që i dha siguri portës së Flamurtarit për javë me radhë do të jetë një mungesë e madhe.

Duke llogaritur që do të luhen dhe ndeshjet e Kupës së Shqipërisë, kuqezinjtë duhet t’i bëjnë llogaritë mirë.

Pano Qirko dhe Edmir Sali janë dy portierët e ardhur nga ekipet e moshave të Flamurtarit, të cilëve iu lind një detyrë e madhe për të ndihmuar skuadrën në këtë situatë të vështirë. /EDS/