Kukësi do të luajë ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Vllaznisë. Pas barazimit ditën e djeshme ndaj Teutës, verilindorët presin shkodranët. Një takim i cili do të luhet në “Elbasan Arena” aty ku Kukësi ka luajtur më të shumtën e ndeshjeve si pritëse.
Është vetë klubi që në faqen zyrtare ka njoftuar orarin dhe stadiumin se ku do të luhet ky takim, ndërsa ka bërë thirrje edhe për mbështetje. Sfidën e fundit si pritëse Kukësi e luajti në “Air Albania”, ndaj Tiranës, kurse të mërkurën rikthehet në Elbasan.
Kujtojmë që aktualisht skuadra është ende pa trajner dhe nesër do të bëhet prezantimi i teknikut të ri, ndërsa klubi ka bërë të ditur që ekipi do të drejtohet përkohësisht nga Rrahman Allaçi.
Njoftimi i Kukësit:
Ndeshjen e radhës e luajmë të mërkurën në “Elbasan Arena” ku përballë do të kemi Vllazninë! Takimi zhvillohet duke nisur nga ora 17:00.
Kërkojmë mbështetje maksimale nga tifozeria për të kaluar së bashku këtë moment negativ të skuadrës. Së bashku mund t’ia dalim. Forca Kukësi!