Shkon në tre numri i futbollistëve “jabanxhinj” që janë aktualisht në provë tek Vllaznia. Pas largimit edhe të serbit Veljko Vukoviç, në skuadër kishin mbetur vetëm nigeriani Beji Anthony dhe elbasanasi Dejvi Bilali.

Të dy këta futbollistë kanë luajtur në miqësoren e sotme ndaj Veleçiku. Ky i fundit që luan si mesfushor qendre, është aktivizuar nga trajneri Lika në formacionin e parë.

Ndërkohë nigeriani ka luajtur në të dytën. Të dy ata janë munduar të lënë gjurmë me lojën e tyre por ndoshta janë sërish larg pritshmërisë.

Përveç tyre, për disa minuta në pjesën e dytë është aktivizuar edhe një tjetër lojtar i ardhur për provë. Bëhet fjalë për vlonjatin Valdo Zeqaj.

Ai ka qenë sezonin e kaluar pjesë e Luftëtarit dhe prandaj trajneri Lika e njeh mirë. Zeqaj luan në rolin e qendërmbrojtësit dhe do të qëndrojë edhe disa ditë në stërvitje para se drejtuesit kuqeblu të marrin vendimin për të.

Lojtari i sapoardhur është 23 vjeç dhe gjatë karrierës së tij ka luajtur me disa skuadra, duke filluar nga Flamurtari, Besa, Sopoti, Apolonia dhe së fundi Luftëtari.
© shkodrasport.com