Një lajm mjaft i bukur nga Puka: Bashkia Pukë po shikon mundësinë e ndërtimit të një kompleksi stervitor pranë stadiumit “Ismail Xhemali”, që mbetet domosdoshmëri për ekipin e Tërbunit, por edhe ekipeve të tjera kundrejt pagesës.
Kryebashkiaku Gjon Gjonaj, i shoqëruar nga zëvendëskryetari z.Mustaf Kopani dhe specialistët e urbanistikës dhe sektorit të pyjeve, shikuan nga afër terrenin ku planifikohet ndërtimi i kompleksit stërvitor “Tërbuni”.
Kryetari i bashkisë ka lënë afat një muaj për hartimin e një projekti bashkëkohor që do të jetë në unison me stadiumin dhe kurorën e gjelbër përreth.
Një plan ambicioz dhe që meriton duartrokitje, sepse gjithçka duhet parë me largpamësi dhe ky është një investim për gjithë qytetin, por jo vetëm atë, duke ditur kushtet e mrekullueshme të Pukës gjatë verës.
Jo rastësisht, aty ka shkuar disa herë Tirana për fazë përgatitore dhe me një kompleks modern do të shtoheshin klubet e interesuar.
Gjithashtu, të rinjtë dhe fëmijët e Pukës do të kishin një mundësi të mirë për t’u marrë me sport, qoftë edhe si edukim, pak rëndësi ka sa talente dalin./sportekspres/