Ka provuar që të veshë fanellën e pesë skuadrave në futbollin shqiptar Alsid Tafili, por kulmi i karrierës së tij duket se është tek Vllaznia “mëmë”. Tafili ka luajtur edhe për Tërbunin, Teutën, Partizanin e natyrisht shkodranët.
Pas ndeshjes së parë të Kupës së Shqipërisë me Kamzën, takim që përfundoi 2-1 në favor të skuadrës kuqeblu e cila duket edhe më afër kualifikimit për në çerekfinale, Alsid Tafili një nga veteranët e Vllaznisë për “Rtshsport” ka pohuar:
“E nisëm mbarë është një rezultat i favorshëm. Jo vetëm kaq, por kishim mundësi të tjera në fund dhe mund të fitonim edhe më thellë. Nga sa u pa, kundërshtari pati vetëm një rast gjatë gjithë 90-të minutave”.
Të gjithë e kujtojnë vjet rivalitetin, por edhe akuzat e fund-sezonit mes Kamzës dhe Vllaznisë në betejën e ashpër të mbijetesës. Tafili e risjell edhe një herë në kujtesë.
“Ishte një hakmarrje ndaj Kamzës, sepse i gjithë opinioni sportiv e di që Kamza nuk e meritonte mbijetesën sezonin e shkuar, megjithatë ne ramë edhe për problemet e shumta që patëm brenda dhe jashtë fushës sonë”, – tha në fund të fjalës së tij, Alsid Tafili, mesfushori 31-vjeçar i skuadrës shkodrane./vipsport/