Shkodranët dhe jo vetëm e dinë mirë si funksionon gara në Shqipëri, veçanërisht në javët e fundit të saj, ku ndonjëherë edhe fitoret nuk bëjnë punë.
Te Vllaznia, edhe pse nuk e thonë hapur, u druhen shumë aleancave në favor të skuadrave rivale, në rastin konkret të Teutës.
Sinjali i parë ishte fitorja e durrsakëve në Kamzë, ndërkohë që Vllaznia u mund në Laç dhe tashmë diferenca ka shkuar në një pikë para për kuqeblutë.
Nëse vazhdohet kështu, rënia e Vllaznisë në Kategorinë e Parë është fakt i kryer.
Trajneri Ernest Gjoka, në prononcimin e tij të djeshëm, theksoi se nuk dëshiron t’i besojë zërat për aleanca dhe ka uruar që gara të jetë e drejtë dhe e pastër.
Shumë mirë do të ishte, por është e sigurt që nuk nuk do të ndodhë vërtet kështu.
Vllaznia ndërkohë duhet të fitojë ndeshjet e saj dhe sfida e së hënës me Flamurtarin në stadiumin “Loro Boriçi është vendimtare për objektivin.
Jo se zgjidh qëndrimin, por ka vlera në shumë plane, më tepër në atë psikologjik. Shkodranëve u mungon Malota në këtë ndeshje, por nuk ka asnjë justifikim: duhet vetëm fitorja pë Vllazninë. /Vipsport/