Jo radhë përdoret shprehja figurative “pesha e rëndë e fanelës”. E ka pra edhe kjo domethënien e saj. Sigurisht jo gjithkush mund ta gëzojë këtë privilegj. Mendova për këtë ndërsa këto ditë ishte përvjetori i 93-të i krijimit të shoqërisë Vllaznia. Por tek endem të bëj një krahasim midis historisë dhe realitet e ndjej se asnjë krahasim nuk mund të bëhet Por ajo që më shtyu tjetër drejt trajtimit të kësaj teme ishte edhe humbja e saj këto ditë me Laçin. Këto dy ngjarje më imponuan të bëj këtë shkrim, disi të ndryshëm nga ata të zakonshmit. Ndaj jam detyruar të kthehem disi mbrapa në kohë për të kujtuar atë 18 dhjetor të vitit 2004 kur Vllaznia fitonte në Laç me rezultatin tenistik 7-1.
Edhe referenca ndaj Laçit ku në 2004 Vllaznia fitonte 7-1 dhe në 2012 kur ajo humbiste me të njëjtin kundërshtar, madje në fushë asnjanëse me rezultatin 1-0, tregon qartë historia flet shumë më qartë ndaj këtij realiteti të zymtë, ashtu siç tregon qartë edhe pozita e saj në tabelën e klasifikimit. Vendi i 8-të me 17 pikë, kur i pari është 32. Por edhe sepse më shumë pikë se Vllaznia kanë grumbulluar skuadra modeste si Kastrioti, Bylis apo Shkumbini tregon se realiteti e ka humbur davanë me historinë.
Por le të vazhdojmë me historinë sepse realiteti është tepër i vakët dhe vlen vetëm si shembull krahasues. Vllaznia ka fituar 9 herë titullin kampion i Shqipërisë. Më saktë kjo ka ndodhur në vitet 1945, 1946, 1971- 1972, 1973-1974, 1977- 1978, 1982-1983, 1991-1992, 1997-1998 dhe në sezonin 2000-2001.
Ajo ka qenë 11 herë nënkampione e vendit. Shkodranët kanë zënë vendin e dytë në vitin 1932, 1933, 1936, 1937, 1947, 1949, 1974-1975, 1996-1997, 1998-1999, 2002-2003 dhe 2008-2009.
Kuqeblutë kanë fituar 6 herë kupën e Shiqpërisë. Kjo ka ndodhur në sezonin 1964-1965, 1971-1972, 1978-1979, 1980- 1981, 1986-1987 dhe 2007-2008.
Shkodranët kanë qenë edhe 7 herë finalistë të kësaj kupe në sezonin 1965-1966, 1967-1968, 1969- 1970, 1985-1986, 1998-1999, 2005-2006 dhe 2009-2010.
Ata kanë fituar edhe 2 herë superkupën e Shqipërisë në vitin 1998 dhe 2001 dhe kanë qenë 2 herë fianlistë të saj në vitet 1992 dhe 2008.
Kjo është historia e pasur e Vllaznisë ndër vite. Madje kjo eshte edhe arsyeja kur flasim për peshën e rëndë të fanelës së saj. Më duket se në Vllazninë e sotme janë të paktë ato që e meritojnë ta veshin atë fanelë sepse nuk iu shkon përshtat. Lojtarët e sotëm janë krejt të ndryshëm nga ata, që ndër vite i dhanë lavdi Vllaznisë dhe qytetit të saj si askush futbolldashës.
Këto ditë u nda nga jeta një ndër emrat më të nderuar të Vallaznisë ndër vite, i paharruari Xhelal Juka. Dikur një futbollist i shkëlqyer, kampion i Shqipërisë në vitin 1945, lojtar ndër më pikantët e saj por edhe i Partizanit dhe i Kombëtares tonë. Më vonë gjithçka të vyer, që ai e shfaqi në fushën e lojës, ua transmetoj brezave të tjerë. Ne e thirrnim profesor dhe i tillë ishte në fakt. Paçka se ai nuk kishte ndonjë diplomë universiteti apo gradë shkecore, Xhelal Juka në atë që i ka dhënë sportit, e kam fjalën për futbollin, është profesor e shkuar profesorit. Ai ishte nga ata, i cili bëri, që pesha e fanelës së Vllaznisë të “peshojë rëndë”.Xhelal Juka nuk ishte një prodhim dosido i futbollit shkodran por një qytetar i traditës. Xhaxhai i tij, Musa Juka, ishte 93 vjet më parë ndër themeluesit e shoqërisë Vllaznia. Ndaj Xhelali nuk mund të ishte ndryshe por një vazhdues i denjë i një tradite, që ngriti themelet e sportit në qytetin e tij.Juka pra ishte një njeri që e njihte këtë traditë dhe u mundua sa ishte gjallë ta reflektonte jo vetëm në fushat e blerta por në radhë të parë si qytetar i Shkodrës. Ai ishte i zgjuar, punëtor, i qartë në atë që bënte dhe i dashur me të gjithë. Falë disiplinës së tij të rreptë dhe korrektesës së madhe që e karkterizonte, ai fitoi kudo respektin e të tjerëve. Emra të mëdhenj të sporti shkodran por edhe atij shqiptar si Ramazan Rragami, Medin Zhega , Sabah Bizi, e shumë e shumë të tjerë, kaluan pikërisht në bankoprovën e Xhelal Jukës për t’u bërë më vonë mjeshtra të mëdhenj të sportit tonë.Këto janë brezat e artë të traditës, që shkruan historinë e këtij klubi aq të njohur brenda dhe jashtë vendit.
Po të ishte gjallë Pashko Vasa do të shkruante: Po sot Vllazni më thuej si je, dikur ke kenë një zonjë e randë… etj. Por fatkeqësisht Vllaznia nuk është sot ajo zonja e randë,që shkëlqente edhe në kupat e Europës, nuk më ajo e e traditës. Tek Vllaznia e sotme mungon shpirti i sakrificës i Xhelal Jukës, Muhamet Dibrës, Prek Gjeloshit,Bimo Fakjes, Frederik Çapalikut, Paulin Ndojës, Hajrulla Lekës , Esat Rakiqit, Kolë Gjonit, Nikoll Gjergjit, Lek Koçobashit, Menduh Dedjes,Ferit Rragamit, Fatbardh Jerës, Millan Vasos, Rudi Vatës etj. Mungon inteligjenca e Selami Danit,Ramazan Rragamit, Medin Zhegës, Sabah Bizit,Astrit Hafizit,Hysen Zmijanit, Luan Vukatanës, Hamdi Salihit, Edi Martinit, Vioresin Sinanit,Armir Grimës, Xhevahir Sukajt, Armando Vajushit etj. Vllaznia e sotme është në atë gjëndje sepse i mungojnë pikërisht këta tipa lojtarësh. Ndaj shumë prej tyre fanela e Vllaznisë edhe pse cilësisht shumë më e mirë nga ata që kanë veshur paraardhësit e tyre, u duket sikur e kanë marrë hua. Kësisoj ajo nuk është e tyrja por janë të detyruar ta veshin. Gabim?, sigurisht. Jo gjithkush mund ta veshë atë fanelë, ndaj është e shtrenjtë, ndaj ka peshë, madje të rëndë.
Vllaznia e sotme kësisoj nuk ka asgjë nga e kaluara e vet e lavdishme. Lojtarët e saj janë larg imazhit të emrave të mëdhenj të Vllaznisë që dikur elektrizonin stadiume të tërë. Faji i tyre bëhet më i madh kur nuk po arrijnë të krijojnë imazhin e kohës edhe pse në krye të skuadrës janë 4 legjenda të saj ndër vite, Rudi Vata, Ramazan Rragami, Armir Grima e Vioresin Sinani. Ajo nuk po ngrihet në nivelin e saj të mirë edhe pse përfaqëson një qytet, që dashurinë për futbollin nuk e ka zbehur edhe në kohët më të vështira që ka ka kaluar. Futbollistët e sotëm u kanë shumë borxh sportdashësve të tyre të zjarrtë, u kanë shumë borxh futbollistëve veteranë tashmë të Vllaznisë, që merren si shembull kudo ku flitet për futboll. Futbollistët që përfaqësojnë sot Shkodrën duhet ta kuptojnë se nuk janë thjeshtë kalimtarë në një klub por se biografia e tyre, duke veshur fanelën e Vllaznisë është pasuruar shumë.
Faza e dytë e kampionatit dhe kupa e Shqipërisë janë finishi i një gare të gjatë. Deri në përfundim të tyre ka ende kohë. Vllaznia duhet të gjejë forca për tiu rikthyer traditës së saj të dikurshme. Por kjo nuk bëhet me fjalë por me punë. Modeli i vetë punës janë drejtuesit e saj, të cilët janë ngritur në piedestalin e kohës pikërisht falës punës që kanë bërë. Vetëm kështu do të vijnë edhe rezultatet. Ndonëse titulli ka humbur tashmë kurrsesi nuk duhet të humbin shpresat për Kupën e Shqipërisë dhe një vend për në kupat e Europës. Lumturia për futbollin duhet kthyer medeomos në Shkodër. Është koha për ta bërë një gjë të tillë, veçse nuk do të jetë e kollajtë. Lumturia nuk dhurohet, këndonte vite më parë këngëtari i madh Tonin Tërshana, nuk falet por fitohet.
*Kryeredaktor i ” ALBANIA PRESS”- Greqi