E keni pyetur veten se nga vjen kjo bindje absolute në Shkodër se e kanë të fituar ndeshjen e fundit ndaj Skënderbeut, mundësisht me diferencë golash, duke i prishur festën e titullit para tifozerisë së tyre në Korçë?

Gjithçka ka lidhje me një protokoll dhe një “borxh” të vjetër, një histori ku ka rrënjët Skënderbeu i sotëm.

Në Shkodër janë të bindur se Skënderbeu u detyrohet atyre për atë që bëri Vllaznia në sezonin 2009-2010, për të ndihmuar skuadrën korçare që të mbijetonte në Superiore për të filluar më pas ciklin e lavdishëm që solli 7 tituj kampion e dy pjesëmarrje në fazën në grupe në Kupat e Europës.

Skënderbeu, deri në sezonin 2009-2010 ishte një ekip që bënte ulje-ngjitje në Superiore, por në mesin e atij edicioni, klubin e mori në drejtim Agim Zeqo, për të hedhur bazat e skuadrës aktuale.

Ai mori korçarët në fundin e klasifikimit por ata filluan të fitonin ndeshje pas ndeshje, ndonëse përbërja e tyre ishte thuajse e njëjtë me atë të skuadrës që nuk fitonte thuajse asnjë.

Në javën e 28, Skënderbeu vizitonte Vllazninë, ndërsa ishte i përfshirë në luftën për mbijetesë në një duel pikë për pikë me Apoloninë.

Tifozët shkodranë kërcënuan klubin që të mos tolerohej ndaj skuadrës korçare dhe në fushën e lojës, kuqeblutë nuk toleruan, duke fituar 3-2, të gjendur nën trysninë e mbështetësve në tribuna.

Por si për çudi, në minuta e fundit të ndeshjes, në fushën e lojës aktivizohet asokohe 19-vjeçari Ansi Nika, i pashënuar në protokollin e ndeshjes nga kuqeblutë.

Vetëm pak minuta në fushë, aq sa mjaftojnë për të humbur ndeshjen në tavolinë në favor të korçarëve.

Një gabim i pakuptimtë për një klub të tillë, që u interpretua gjerësisht si mënyra e vetme që kishte gjetur klubi shkodran për të kënaqur të gjithë palët.

Nuk mbaroi këtu, pasi pak javë më vonë, Vllaznia që nuk luante për asgjë, mundi në transfertë Apoloninë, duke i siguruar Skënderbeut pjesëmarrjen në fazën e play-off ku korçarët mbijetuan, ndërsa fierakët ranë në të Parën.

Kanë kaluar 8 vite dhe tani të njëjtët tifozë shkodranë të cilët asokohe kërcënuan klubin që të mos toleronte, presin dhuratë nga Skënderbeu në Korçë.

Ndaj e mërkura do të jetë dita ku për shumë tifozë të të dy skuadrave do të vërtetohet nëse “borxhi i protokollit” është i vërtetë, nëse klubi shkodran asokohe mashtroi tifozët e vet dhe nëse në të vërtetë Skënderbeu i sotëm ekziston vetëm falë… Ansi Nikës. /vipsport/