Kjo është pyetja më e shumtë që është bërë kohët e fundit në Shkodër dhe jo vetëm. Vllaznia ka rrëshqitur në renditje dhe tashmë ndodhet në vendin e tetë duke rrezikuar seriozisht. Një muaj më parë nuk ishte kjo situatë. Me 11 pikë të grumbulluara (8 në renditje për shkak të penalizimit të FIFA-s me tre pikë, drejtuesit e saj krenoheshin për ecurinë e shkëlqyer, madje Nava nga njëra anë dhe Raineri në krahun tjetër nxitonin të merrnin meritat se merita e kujt ishte. I pari madje, përmes rrjeteve sociale, sepse në Shkodër pak dhe aspak ka qenë prezent, fliste për titullin kampion dhe gjëra të tjera. Aq sa i bëri edhe tifozët shkodranë të ëndërronin.
Kuptohet ata që ishin “më të etur” për këtë titull sepse ata që ishin realist, e kuptonin fare qartë se cila ishte forca reale e kësaj skuadre. Dhe pikërisht, me humbjen 0-3 ndaj Laçit, gjërat filluan të marrin tatëpjetën. Nisi “divorci” në distancë në mes kompanisë “Gea Sport” dhe Bashkisë Shkodër dhe kjo pati ndikimin e vet të dukshëm tek skuadra. Kjo u reflektua edhe tek futbollistët, madje shoqëruar edhe disa zënka në stërvitje në mes njëri- tjetrit. Pozitat e stafit teknik filluan të lëkundeshin. Jo nga drejtuesit e klubit por nga ndikimi që ai kishte tek futbollistët. Kjo do të linte gjurmë edhe në ndeshjet e rradhës. Humbje në Shkodër me Partizanin, humbje në Korçë e Kukës, humbje madje edhe me Mamurrasin për kupë në Shkodër dhe së fundi, humbje edhe me Teutën po në “Loro Boriçi”. Gjithsej 6 humbje rradhazi. Kjo ka bërë që situata të rëndohet. Tashmë nuk ka më besim tek stafi, as tek futbollistët. Dilema është se çfarë mund të ndryshohet. Këtë në fakt, askush nuk e di me saktësi.
Çështja e trajnerit
Ai tashmë nuk ka më ndikimin e duhur në skuadër. Edhe ndonjë futbollist që deri dje ishte konsideruar një nga beniaminët e tij, si për shembull Shala, në ndeshjen e fundit me Teutën i ka dalë kundër pas zëvendësimit që ai i ka bërë duke lëshuar një fjalor aspak të këndshëm në adresë të tij. Po ashtu edhe ndonjë lojtar tjetër si Kruja apo Hajdari, kuptohet qartë që janë të pakënaqur me lënien në stol në takimet e fundit. Drejtuesit e klubit megjithatë janë të bindur se në rrëshqitjen e situatës, trajneri Raineri nuk ka përgjegjësinë e tij. Pikërisht për këtë, të dielën drejtuesit e klubit dhe kryesisht drejtori sportiv Grima, i ka ndryshuar mendjen trajnerit italian duke e bindur të vazhdonte punën në skuadër.
E ardhmja
Atë për momentin askush nuk mund ta thotë me siguri se si do të jetë. Vllaznia tashmë është e qartë se do jetë në garë vetëm me Apoloninë dhe Elbasanin. Sfidat direkte me këto dy ekipe pas dy javësh, do të vendosin shumë. Nëse vitin e kaluar kuqeblutë shpëtuan pas shumë hallesh, sivjet nuk mund të thuhet e njëjta gjë. Situata konsiderohet më e vështirë mbi të gjitha sepse në skuadër nuk ke lojtarë me peshë siç ke patur sezonin e kaluar si Vujadinoviç, Bushiç, Belisha, Vukçeviç etj. Për këtë arsye, ka shumë dilema si për çështjen e trajnerit ashtu edhe të ecurisë së skuadrës në të ardhmen.
© shkodrasport.com