Federata Ballkanike e Atletikës ka publikuar kalendarin e aktiviteve rajonale të sportit të “mbretëreshës” për vitin 2018, që do të nisin më 10 shkurt. Në Sofje, do të zhvillohet Ballkaniada e sallave të mbyllura për moshën U-20, ndërsa një javë më vonë, në Stamboll, zhvillohet Ballkaniada për të rritur në sallat e mbyllura. Ky do të jetë aktiviteti i parë “big” për atletikën shqiptare ku do të testojë forcat me disa nga protagonistët që synojnë një vit 2018 pozitiv dhe me rekorde.
Atletët Luiza Gega, Izmir Smajlaj dhe jo vetëm, do të kenë mundësi të testojnë punën e bërë gjatë muajve të fundit në prag të aktiviteteve Europianë, që zhvillohen këtë vit në Berlin dhe Birmingam. Për sa i përket turneve të tjera Ballkanikë, kampionatet kryesore do të zhvillohen në qershor (U-18 dhe U-20) dhe korrik (senior). Asnjë aktivitet Ballkanik nuk do të zhvillohet në vendin tonë gjatë 2018-ës, ndërkohë që gara e fundit e vitit 2018 do të jetë ajo e krosit, në nëntor.