Kris Eaton, shefi i sigurisë në FIFA ka zbuluar dje për herë të parë para shtypit metodën më tradicionale sesi trukohen ndeshjet në Shqipëri, Ballkan dhe Rusi. Është “Foxneës” që shkruante dje një fakt të tillë. Në një konferencë për këtë çështje të mbajtur në Zyrih, shefi i sigurisë në organizmin më të madh të futbollit në botë Kris Eaton zbulon skemën që përdoret zakonisht kur trukohet një ndeshje futbolli. Është një metodë shumë e njohur në Europë. Eaton sqaron se: “Në fillim u bëhet presion lojtarëve që të bashkëpunojnë në të kundërt ata kërcënojnë”. Më pas ai tregon edhe mënyrën sesi fiksohet një takim. “Është “chairman-to-chairman method”(metoda president-president), e cila është shumë e përhapur në Shqipëri, rusi dhe vendet e Ballkanit. Kështu fiksohen ndeshjet e futbollit. Dhe këtë nuk e themi vetëm ne, FIFA, UEFA, por një raport i quajtur “Forrest’s sports corruption report” i cili prej më shumë se dy vitesh është kryer në shumë vende të Europës dhe Azisë”, pohon Eaton.
Faktikisht Shqipëria ka një ndër kampionatet më të dobëta në Evropë sa i takon futbollit, por qëndron në krye për shitjen apo trukimin e ndeshjeve. Agjencia sportive “SportRadar”, që analizon ndeshjet e trukura në Evropë, ka publikuar kohë më parë një raport, ku vlerësohet se në Shqipëri janë fiksuar rezultatet e 97 ndeshjeve. UEFA shpeshherë ka kërkuar nga Federata Shqiptare e Futbollit që të hetohen ndeshjet kualifikuese për në kupat e Evropës por edhe ato në kampionatin shqiptar pasi ka pasur dyshime për fiksim të rezultatit në tavolinë. Pas Shqipërisë renditet Italia, ku “SportRadar”, vlerëson se janë manipuluar 70 ndeshje futbolli. Ky raport vlerëson ndeshjet e luajtura nga 27 qershori 2009 deri më 22 nëntor 2012. “SportRadar”, nuk ka bërë të ditur se për cilat ndeshje bëhet fjalë se janë trukuar. Gjithsesi këtë vit janë përfolur shumë ekipe, duke filluar nga kampionët në fuqi të vendit e deri tek skuadra e fundit e superiores. Laçi-Kastrioti ka qenë nga ato takime që bëri shumë bujë. E zhvilluar më 17 shtator 2012 kjo ndeshje, ka lënë haptazi dyshime si “e bërë” për bastet. Ekziston edhe një ndeshje e dytë ku është marrë vesh se si e përzier skuadra e Kastriotit. Vllaznia-Skënderbeu është sfida mes shkodranëve dhe korçarëve, ose takimi i parë i kampionatit të 74-rt të futbollit ka brenda hije dyshimi. UEFA dyshon se ndeshja e parë e Kategorisë Superiore për këtë vit që është kapur nga sistemi i sofistikuar i UEFA-s, i quajtur “Sistemi i Zbulimit të Mashtrimeve të Basteve”, (BFDS), ka qenë e paracaktuar në rezultat, për llogari të basteve sportive. UEFA në raportin e dërguar në FSHF asokohe shkruante se koefiçentët kanë qenë shumë të çuditshëm dhe janë luajtur shuma të mëdha me kombinimet që doli ky takim. Ky është një realitet i ri në futbollin shqiptar i cili duhet të fshihet pa bërë dëme të tjera që mund të cënojnë futbollin shqiptar dhe drejtuesit që nuk janë të përfshirë. Para disa ditësh u rikonfirmua fakti se ndeshjet e luajtura në Europa League e Champions League në vitin 2009 kanë qenë pjesë e basteve. Bëhet fjalë për takime ku Tirana u mposht 4-0 nga skuadra e Stabaek e Norvegjisë, për turin paraeliminator të Champions-it dhe për Vllazninë, që dyshohet se ka trukuar dy ndeshjet e Europa League ndaj Rapidit të Vjenës. Shkodranët u mposhtën 3-0 në Shqipëri dhe 5-0 në Vjenë, duke bërë që të lindnin dyshime të forta për trukim rezultati.