Olauale Onanuga ishte heroi i Kastriotit në përballjen me Tiranën, pasi goli i tij mundi Tiranën brenda në shtëpi pas gati 1 viti. Bardheblutë nuk humbisnin që prej 17 maj 2021 në shtëpinë e tyre.
Nigeriani arriti që të shënonte golin e parë sezonal në kampionatin tonë, gol që Kastriotit i dha tri pikët e vyera që tashmë i çojnë krutanët në kuotën e 40 pikëve.
Në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”, nigeriani tregon se ndihet i kënaqur me ecurinë.
Si erdhët në Shqipëri? Kam luajtur në Nigeri disa vite në divizionin e parë. Por vendosa të largohesha, pasi e kisha të nevojshme një eksperiencë të re. Në Shqipëri erdha pasi një nga xhaxhallarët e mi telefonoi Orelesin, meqë ai ka luajtur pjesën më të madhe të karrierës së tij këtu në Shqipëri. Te Kastrioti më solli Abraham. Çfarë dinit më parë për këtë vend? E njihja Shqipërinë para se të transferohesha, pasi këtu luajnë disa nga miqtë e mi nigerianë.
Cilat ishin përshtypjet e para për njerëzit dhe ekipin?
Kur erdha, mendoja për përshtypjet që do të kenë njerëzit. Për një lojtar të ri afrikan që vjen në ekip, si do të krijoja marrëdhënien me këta njerëz, si do të jetë shtëpia ime e re, shokët e rinj, si do të krijoja marrëdhënie, sfida të reja e shumë gjëra të tjera. Ishte pak e frikshme në fillim, por shpirti i pamposhtur i djaloshit afrikan më bëri që të kisha besim dhe gjithashtu ndihmesë të madhe më ka dhënë edhe Lukam Husein, i cili më bëri të ambientohesha shumë kollaj dhe shpejt.
Shënuat golin e parë me Kastriotin, por a e dinit që Tirana kishte një vit pa humbur në shtëpi?
Jam shumë i kënaqur për golin, pasi ishte një ndeshje shumë e rëndësishme për ekipin dhe morëm një fitore të madhe. Kisha dëgjuar nga shokët e ekipit për Tiranën, për historinë, tifozërinë që ka, plus që jemi përballur dhe gjatë kampionatit me ta.
Besoj se ne bëmë shumë dhe e merituam fitoren. Sa i kënaqur jeni me atë çka keni dhënë dhe minutat që keni marrë këtë sezon me Kastriotin?
Jam shumë i lumtur për minutat që kam marrë te Kastrioti këtë sezon. Kjo është përvoja ime e parë në Europë dhe normalisht siç thashë më lart, pak e vështirë si fillim. Megjithatë, do të punoj shumë për të bërë më mirë në ndeshjet e ardhshme.
Luftoni për dy fronte, Europë dhe shmangien e “play out”-it. Cila është më e arritshme?
Neve gjithmonë na është thënë se duhet të punojmë fort për ndeshjen e radhës. Nuk kemi diskutuar kurrë për Europën, por do të ishte mirë për ne të kualifikoheshim në Kupat e Europës.
E cekët dhe më lart se do të punoni që të ecni më lart. Për sa kohë e mendoni veten në Shqipëri?
Ashtu si çdo futbollist, dua të punoj shumë, të rritem, të eci përpara dhe në fund të mos pendohem që zgjodha futbollin si profesion. Më vonë nuk e di, do të mendoj për Kastriotin deri kur të më përfundojë kontrata.
Sa moral keni pas fitoreve të fundit për ndeshjen me rivalin direkt këtë fundjavë?
Me Egnatian është një ndeshje e vështirë, por ne do të punojmë fort për të arritur të marrim edhe tri pikë të tjera.
Jashtë futbollit, ka diçka që ju bën përshtypje në Shqipëri?
Më pëlqejnë njerëzit këtu, janë shumë miqësorë. Më pëlqejnë ushqimet, sidomos pula me pilaf, gatuhet në mënyrë perfekte./PANORAMA-SPORT/