Kur u duk se gjithçka përfundoi dhe se Manaj nuk do të kishte më probleme, e madje do të luante në fundjavë por me një maskë, gjërat kanë ndryshuar dhe mesa duket, Manaj nuk është në gjendjen që pritej. Ai ka pasur komplikime shëndetësore në ditët e fundit për shkak të goditjes së fortë që mori në kokë në ndeshjen ndaj Granadas.
Ditën e djeshme, sulmuesi i Kombëtares ka dalë në stërvitje me maskë në fytyrë, gjë të cilën e ka kërkuar vetë që nga dita kur ishte ende në spital. Problemi ka nisur fillimisht me maskën, e cila e ka bezdisur tepër sulmuesin shqiptar dhe e ka pasur të pamundur që të vazhdonte të stërvitej, duke e hedhur atë në tokë e më pas, nisi me programin individual të stërvitjes.
Mediat spanjolle bëjnë me dije se Manaj po përballet me probleme shëndetësore. Ai ka marrje mendsh të shpeshta që vijnë nga dëmtimi në kokë, si edhe shoqërohet me të vjella të shumta. Goditja e fortë që pësoi ndaj Granadas, ka lënë shenjën e saj në kokën e Manajt dhe ky i fundit, e ka të pamundur që të flejë rehat nga dhimbja, duke vuajtur në këtë mënyrë edhe nga pagjumësia.
Mundësia që Manaj të luajë këtë fundjavë, duket se ka rënë në kuotën zero, ndërkohë që në Spanjë shpresojnë që gjithçka të jetë kalimtare dhe të mos vazhdojë gjatë. /vipsport/