Situata rreth Vllaznisë ditët e fundit nuk ka qenë aspak e qetë.
Shumë zhurmë, kritika e akuza megjithatë në pamje të parë, të gjitha këto nuk i shërbejnë aspak skuadrës.
Ajo ndodhet në prag të ndeshjes me Lushnjën e cila në pamje të parë konsiderohet e lehtë por nga ana tjetër konsiderohet shumë jetike për vazhdimësinë.
Në këtë aspekt, ka edhe nga ata që bëjnë thirrje për mbështetje të skuadrës. Njëri prej tyre është boksieri i Vllaznisë, 13 herë kampioni i vendit Nelson Hysa.
Në një prononcim për “Shkodra Sport”, ai i konsideron kuqeblutë si një boksier në gjendje nokdauni por që ka forca sërish për ta fituar ndeshjen.
Veçse për ta bërë këtë gjë, duhet mbështetje. Ja si shprehet ai:
“Ajo që më bën përshtypje është se shoh që ka vetëm kritika. Duhet që dikush t’i frymëzojë këta djem. Shihet se ata janë poshtë nga ana psikologjike.
Ai që është marrë me sport e kupton shumë qartë se ana psikologjike është shumë e rëndësishme. Këtu e kanë me trajnerin, më parë thoshin hiqe atë trajner, e hoqën.
Ka ardh ky tjetri, sërish thonë hiqe edhe këtë. Ore, këtu të sjellësh edhe Murinjon kjo situatë është nëse sportistët nuk ndryshojnë nga ana psikologjike.
Nëse ata e kanë poshtë atë, nuk ka se çfarë t’u bëjë as trajneri dhe askush. Më kanë bërë përshtypje thirrjet për Skënderbeun në fund të ndeshjes që u luajt të dielën në Shkodër.
Çfarë ishte kjo, ironi apo tallje? Nëse ata tifozë shkodranë kanë ardh në stadium për të parë dhe mbështetur Vllazninë, ta bëjnë ashtu si duhet dhe jo të kënaqen se ka fituar Skënderbeu.
Nëse janë tifozë me të, të shkojnë në Korçë dhe të bërtasin fort për këtë skuadër. Shkodranët e mirë nuk duhet ta lënë mbështetjen për në javën e fundit të kampionatit siç ndodhi sezonin e kaluar.
Duhet të jenë çdo ndeshje në stadium për ta mbështetur Vllazninë. Mua nuk më intereson se kush është futbollisti i Vllaznisë apo trajneri i saj.
Dua që kjo skuadër të mos jetë në këtë gjendje ku është. Por duhet që secili prej nesh ta ndihmojë atë. Unë meqë jam boksier, do ta krahasoja gjendjen e Vllaznisë me një gjendje nokdauni.
Ka marrë 3-4 goditje dhe po kalon një moment të vështirë. Më ka ndodhur edhe mua por edhe shumë kujt një gjendje e tillë.
Por kur ke besim në vetvete se mund ta mundësh kundërshtarin, kur ke mbështetjen e trajnerëve e tifozëve, mund t’ia dalësh ta fitosh ndeshjen.
Këtë gjë duhet të bëjmë edhe ne. Vllaznia e futbollit e ka marrë goditjen por ajo ka mundësi “ta fitojë ndeshjen e saj”. Prandaj u bëj thirrje të gjithëve të jenë përkrah saj, madje duke filluar që në Lushnjë.
Biznesmenë që thonë se janë të interesuar për të marrë Vllazninë, ta bëjnë këtë gjë që tani, të jenë përkrah skuadrës, të vënë disa autobuza në dispozicion të tifozëve për të shkuar në Lushnjë.
Unë besoj tek kjo skuadër, tek këta futbollistë dhe tek ky staf dhe shpresoj që këtë gjë ta bëjnë të gjithë shkodranët”.
© shkodrasport.com