Çdo orë që kalon e largon De Light nga Barcelona. Duket qartë se ylli holandez ka nisur t’i hedhë disa hapa drejt kryeqytetit francez, sipas informacioneve më të fundit nga mediat e kontinentit.
Sipas holandezes “De Telegraaf”, nëna dhe e dashura e 19-vjeçarit të Ajax ishin për vizitë në Paris, ku vizituan rezidencat e mundshme, në njërën nga të cilat mund të vendosen, në rast se qendërmbrojtësi e përmbyll nënshkrimin me PSG.
Të njëjtat informata tregojnë se vizitat në shtëpitë e mundshme janë bërë në fshehtësi të plotë, udhëtimi drejt tyre është bërë me makina me xhama të zinj. Madje, këto makina janë siguruar nga vetë klubi i PSG, siç raportohet nga Holanda.
E gjitha kjo nuk bën gjë tjetër, veçse ushqen tezën se kapiteni i Ajax është shumë afër mbylljes së marrëveshjes me kampionët e Francës. Nëse kjo ndodh, do të ishte një goditje e fortë për Barçën, sepse blerjen e De Light e konsideronte objektiv strategjik./telesport/