Një ish-lojtar i kombëtares së Jugosllavisë e pak më vonë edhe i Malit të Zi, pikërisht Nenad Brnoviç, mund të bëhet futbollist i Vllaznisë pas pak ditësh. Ai është “pikasur” nga drejtuesit shkodranë që thuhet të kenë hyrë në kontakte me të. Bëhet fjalë për një futbollist me shumë përvojë që në karrierën e tij ka luajtur me ekipet e Zabjelos, Mlladostit, Hajduk Kulës, Zetës, Partizanit të Beogradit, Rad, Buduçnost dhe së fundi me Mes Sarcheshmeh në Iran. Ka luajtur 17 ndeshje me kombëtaren e Serbisë (kur ishte bashkë me Malin e Zi). Ai është një lojtar mesfushor me tipare sulmues dhe që mbush 31 vjeç pikërisht më 18 janar. Bisedimet duken të mbara dhe ka mbetur vetëm verifikimi i formës së tij për të dalë tek firma pastaj. Brnoviç pritet të bashkohet me Vllazninë të hënën në kampingun e Ulqinit.Nëse vërtetë edhe forma e tij do ishte ajo e duhura, ky do ishte një përforcim i rëndësishëm për skuadrën shkodrane e cila ka nevojë për një mesfushor me përvojë.

Anton ZALLI