Real Madrid është në krizë. “Los Blancos” janë mundur 1-0 në shtëpi nga Villarreal, që tani është vetëm një pikë larg ekipit të Zidane që mban vendin e katërt me 32 pikë të grumbulluara pas 18 javësh të La Liga-s. Ndeshja është zhbllokuar në minutën e 14-të me Gareth Bale, por goli është anuluar për pozicion jashtë loje. Pesë minuta më vonë ka qenë Marcelo që ka shkuar afër golit, me goditjen e tij që është ndalur nga një pritje e bukur e Sergio Asenjo.
Sulmet e madrilenëve kanë qenë të vazhdueshme dhe në minutën e 23-të miqtë janë shpëtuar nga traversa, që ka ndalur goditjen e dënimit të Cristiano Ronaldo-s. Reagimi i Villarreal ka ardhur në minutën e 29-të, kur Carlos Baça ka shpërdoruar një rast të mirë për të shënuar.
“Los Blancos” kanë krijuar shumë, por fati nuk ka qenë me ta, teksa Ronaldo është ndalur përsëri nga shtylla në minutën e 32-të. ylli portugez ka patur një tjetër rast në minutën e fundit të pjesës së parë, por tentativa e tij është ndalur nga Asenjo. CR7 ka kërkuar një penallti për një ndërhyrja nga mbrapa të një prej mbrojtësve kundërshtarë, por arbitri ka vendosur të lejojë vazhdimin e lojës.
Edhe pjesa e dytë ka vazhduar me të njëjtat ritme. Vendasit kanë kërkuar me ngulm golin, ndërsa Villarreal është munduar të godasë në kundërsulm. Portieri Asenjo ka bërë një tjetër pritje shpëtimtare në minutën e 57-të, duke i mohuar golin Cristiano Ronaldo-s, ndërsa Baça ka shpërdoruar një tjetër rast në minutën e 63-të.
Dominimi i “Los Blancos” ka vazhduar deri në minutat e fundit të ndeshjes, por kanë qenë miqtë ata që kanë gjetur golin e fitores në minutën e 88-të me Fornals, i cili ka mposhtur Navas me një goditje të bukur me hark. Zidane ka thënë para kësaj ndeshje se është lodhur duke dëgjuar të flitet për një Real në krizë, por pas këtij takimi do të jetë e vështirë që francezi ta mohojë atë që po ndodh brenda ekipit të tij./telesport/