Klubi i Kukësit duket se është në një situatë të vështirë sa i përket merkatos duke qenë se skuadra e sezonit të kaluar është shpërbërë tërësisht me lojtarët kryesorë që kanë vendosur të largohen.

Pas njoftimit për ndarjen konsensuale me Emiliano Mustën, tashmë verilindorët kanë zyrtarizuar edhe lamtumirën e Enis Gavazaj.

Sulmuesi edhe pse kishte një kontratë që përfundonte në verën e ardhshme, pas një takimi me presidentin është arritur në përfundimin për të ndërperë para kohë bashkëpunimin.

Kështu, Gavazaj i shtohet të larguarve të tjerë si Teqja, Krasniqi, Obanor, Rroca, Musolli, Et’hemi, Musta, Abazaj apo Shkurtaj. /VipSport/

Njoftimi i klubit të Kukësit:

Enis Gavazaj nuk është më pjesë e Kukësit! Sulmuesi nga Prizreni ka mbyllur sot aventurën e tij me skuadrën tonë. Presidenti i klubit dhe sulmuesi Gavazaj kanë pasur një takim me njëri-tjetrin dhe më pas kanë vendosur të ndërpresin bashkëpunimin.

Kontrata e Gavazajt përfundonte verën e ardhshme, megjithatë palët kanë shtrënguar duart duke ndërprerë kontratën parakohe.

Klubi i Kukësit e falënderon Enis Gavazajn për kontributin e dhënë me fanellën e Kukësit dhe i uron suksese në të ardhmen. Faleminderit Enis!