Kukësi “blinon” mbrojtjen në prag të sezonit të ri, i cili momentalisht është bojkotuar deri në një afat të pacaktuar në shenjë proteste ndaj qeverisë, e cila nuk i ka përfillur kërkesat e klubeve shqiptare për ligjin e sportit.
Pas Kenan Horiç, verilindorët kanë arritur akordin paraprak me futbollistin e Kombëtares shqiptare, Besir Demiri. Gazeta mëson se marrëveshja pritet të mbyllet përfundimisht ditën e nesërme, teksa bëhet fjalë për një kontratë 1 vjeçare, me të drejtë rinovimi edhe për një tjetër.
26-vjeçari pritet të rritë ndjeshëm cilësitë në ekipin e Kukësit, teksa ka një CV mjaft të kënaqshme. Në të kaluarën Demiri ka qenë pjesë e Shkupit, Shkëndijës dhe Vardarit në kampionatin maqedonas.
Ai ka qenë një nga mbrojtësit më të dalluar në sezone 2014-2018, për të kaluar më pas te Marilupo në Ukrainë, ku u aktivizua 33 takime në elitën e futbollit ukrainas. Së fundmi mbrojtësi shqiptar, ka qenë pjesë e Zlinës në Sllovaki, ku u aktivizua 21 takime dhe realizoi 2 gola.
Demiri bëri bujë 2 vite më parë, ku vendosi të braktiste Maqedoninë, për t’u bërë pjesë e Kombëtares shqiptare. Me aktivizimin në Kategorinë Superiore, 26-vjeçari pritet të rifitojë vendin në ekipin kombëtar shqiptar.