Kombëtarja e Shqipërisë do të luajë sonte ndeshjen e radhës në Ligën e Kombeve kundër Izraelit, e treta në këtë kompeticion për përfaqësuen kuqezi. Për këtë ndeshje trajneri Christian Panucci ka grumbulluar 23 lojtarë, të cilët do të jenë gati për të luajtur në fushë nëse do t`ju kërkohet një gjë e tillë.

Para kësaj sfide, Shqipëria zhvilloi një ndeshje miqësore me kombëtaren e Jordanisë, pak ditë më parë në Elbasan.Në atë takim veç rezultatit aspak të kënaqshëm, barazimit 0-0, trajneri Panucci mori edhe disa lajme negative. Mbrojtësi Ene Mihaj u dëmtua gjatë ndeshjes, ndërsa pas asaj ndeshje, u larguan edhe Frederik Veseli me Ylber Ramadanin.

Në vend të tyre u thirrën me urgjencë Sabien Lilaj dhe Ivan Balliu, por teksa Lilaj u bashkua me ekipin, mbrojtësi që luan për Metz në Francë, nuk arriti të grumbullohet për shkak se nuk mori leje nga skuadra. Ndaj trajneri do duhet të bëj pa një mbrojtës të rëndësishëm sonte në Beer Sheva.

Ndeshja kundër Izraelit do të jetë e treta në Ligën e Kombeve, por nga lista e lojtarëve të grumbulluar për këtë takim, në mesin e 23 futbollistëve, 9-të prej tyre ende nuk kanë debutuar me Shqipërinë në këtë kompeticion.

Ata janë; Myrto Uzuni, Xhakomo Vrioni, Egli Kaja, Emir Lenjani, Eros Grezda, Andi Lila, trit Berisha, Elhan Kastrati dhe Kastriot Dermaku. Disa prej këtyre lojtarëve janë grumbulluar rishtaz në ekipin kombëtar, përjashto Andi Lilën, Etrit Berishën dhe Eros Grezdën, të cilët ishin dhe më herët pjesë e ekipit. Por për Grezda edhe pse u grumbullua në ndeshjet e shtatorit, ai u largua nga kombëtarja për shkak të rikuperimit.

Ndaj në këtë ndeshje, për shkak të mungesave disa prej emrave të lojtarëve, që ende nuk kanë debutuar në Ligën e Kombeve, pritet të luajnë që nga minuta e parë e disa të tjerë do të kenë mundësi si zëvendësues.