Diten e djeshme eshte zhvilluar mbledhja e rradhes e presidenteve te klubeve te futbollit, mbledhje ne te cilen ka marre pjese edhe presidenti i FSHF-se Armando Duka si dhe deputeti Fidel Ylli, i pranishem si perfaqesues i Qeverise aty.

Gazeta “Panorama Sport” ka mësuar nga burime të besueshme edhe një pjesë të debateve që janë zhvilluar dje në takimin e Ligës me të deleguarin e qeverisë, deputetin Fidel Ylli. Me poshtë, edhe një pjesë e ligjëratave:

REFIK HALILI: “Ne kërkojmë me shumë mirësjellje që të shihet aspekti ligjor. Ju e dini që ne vetëm investojmë dhe humbasim nga kjo çështje, prandaj kërkojmë ndërhyrjen e qeverisë. Edhe ju vetë e keni pranuar se bëhet fjalë për kërkesa të arsyeshme. Prandaj, është në të mirë të të gjithëve dhe nuk po bëhen kërkesa për kapriço, por janë kërkesa nga nevoja që kjo situatë të ndryshojë dhe përmirësohet”.

FIDEL YLLI: “Ju keni të drejtë me kërkesat që keni ngritur, por me bojkot nuk mund të ketë negociata. Ju duhet që të rifilloni të luani dhe më pas do të diskutohen të gjitha kërkesat tuaja një nga një”.

LASKA DHE KAPLLANAJ: “Jo, nuk do të ketë futboll pa plotësimin e kërkesave! Kemi bërë disa kërkesa dhe pa u miratuar, nuk do të luajmë!”

FIDEL YLLI: “Prisni se kështu nuk negociohet dhe as diskutohet. Nuk mund të bëjë sporti në këtë mënyrë presion ndaj Ramës dhe qeverisë. Jo vetëm kjo, por e dini mirë që çdo gjë kërkon kohën e vet. Fillimisht të bihet dakord në parim, më pas të kalojë në komisionet e ligjeve, pastaj votimi në parlament. Ne do të përmirësojmë buxhetet në sport. Do të bëhen ndryshime të rëndësishme që e përmirësojnë situatën në sport. Gjithçka do të marrë zgjidhje, pasi do të jetë një reformë e plotë me një tërësi ligjesh që ju vetë do ta shihni ndryshimin”.

KOÇO KOKËDHIMA: “Fidel, ju të gjithë e dini që unë drejtoj sot një parti politike dhe po ju them që nëse kjo qeveri i bën të gjitha këto të mira për sportin, do të dal publikisht dhe t’u them njerëzve që të votojnë për Ramën… (ilaritet në sallë). Ama, bëjini një herë këto premtime në realitet për të mirë të sportit…”.

Në fund, biseda mes palëve ka pasur një dakordësi që derisa të sqarohet situata se në cilën pikë janë palët, njëra me kërkesa e tjera me premtimet dhe mundësitë e realizimit, të ketë një “armëpushim” mediatik. Pra, si nga klubet dhe futbolli edhe nga ana e qeverisë të mos ketë luftë mediatike mes palëve.