Dita e shtunë do jetë një ditë feste për gjithë sportistët e xhudos të Veriut shqiptar. Akademia “Albania Judo Kodokan” me qendër në Vau Dejës, ashtu si çdo vit tjetër, edhe këtë herë do të organizojë ceremoninë e dorëzimit të çmimeve të fundvitit për gjithë sportistët e Shkodrës, Vau Dejësit dhe Lezhës. Ceremonia do të zhvillohet në orën 10.00 në ambjentet e kësaj Akademie në Vau Dejës dhe në të do jenë të pranishëm pushtetarët lokalë, drejtuesit e Federatës Shqiptare të Xhudos, sportdashës etj. Për sportistët më të mirë do ketë dhurata të veçanta. Presidenti i kësaj Akademie Anton Shkoza vazhdon në këtë mënyrë të bëjë më të mirën e mundshme jo vetëm për t’i stërvitur këta sportistë por edhe për t’i stimuluar përmes aktivitetesh të tilla. Atë që po bën ky njeri, pavarësisht se jo në kushte normale shëndetësore, nuk e bën askush tjetër dhe për këtë ai ka merita të veçanta. Megjithatë kjo nuk mjafton sepse përkrah tij duhet të jenë edhe gjithë institucionet sportive, pushteti lokal dhe ai qendror. Jo thjesht se kemi të bëjmë me një sport si xhudoja, por sepse edukimi që ky sport i bën fëmijëve është i veçantë.

shkodrasport.com