Nesër do të luhen takimet e dyta gjysmëfinale të “Final 4” për vajza, Vllaznia – Partizani dhe Apolonia – Tirana. Takimi i parë i ditës së martë do të jetë Vllaznia – Partizani, që do të zhvillohet në stadiumin “Reshit Rusi” në ora 12:00. Vajzat kuqeblu janë vetëm një hap larg për të siguruar finalen pas triumfit 3-0 në ndeshjen e parë, ndërsa vajzat e kuqe do të tentojnë mrekullinë.
Takimi më interesant është padyshim Apolonia – Tirana, që do të luhet në ambientet e aneksit të stadiumit “Loni Papuçiu” në ora 16:00. Sfida e parë ka përfunduar në barazim me rezultatin 1-1 dhe të dyja skuadrat kanë si objektiv vetëm finalen.
Në rast barazimi tё rezultateve pas dy takimeve tё lojës sё rregullt, skuadra e renditur mё mirё nё klasifikim kualifikohet pёr nё ndeshjen finale.
Finalja e madhe që do të përcaktojë edhe kampionen e këtij edicioni do të luhet më 13 maj në “Shtëpinë e Futbollit”. Ekipi kampion i “Abissnet Superiore” për vajza do të përfaqësojë Shqipërinë në raundin para-eliminator në UEFA Champions League.