Në fillim të muajit mars në Maltë do të zhvillohet një turne në të cilin do të marrë pjesë edhe kombëtarja U17 e Shqipërisë që drejtohet nga trajneri Elvin Beqiri.

Ndonëse shpallja e listës së lojtarëve të grumbulluar do të bëhet gjatë ditës së nesërme, “zbulohet” një nga emrat që do të jetë risi në këtë turne.

Bëhet fjalë për futbollistin 15 vjeçar me origjinë nga Shkodra, Andreas Ndoj i cili siç kemi bërë të ditur, është pjesë e Akademisë së Olimpiakos. Themi risi në fakt por nuk është e tillë sepse ky lojtar ka qenë edhe më përpara pjesë e kësaj kombëtareje, por gjashtë muajt e fundit nuk është thirrur nga stafi teknik.

Megjithatë, paraqitjet shumë të mira që Ndoj është duke bërë me Olimpiakos U17 ku është gjithnjë titullar (ndonëse mosha e tij është për të luajtur me ekipin U16) dhe po spikat me paraqitjet e tij.

Ndoj luan në qendër të mesfushës dhe konsiderohet një element me shumë të ardhme dhe padyshim që vlerat do të kërkojë t’i tregojë edhe me ekipin kombëtar shqiptar.
© shkodrasport.com