Pas dy javë ndërprerje për shkak të grumbullimit të ekipeve kombëtare për ndeshjet eliminatore, këtë fundjavë rikthehet kampionati kombëtar i futbollit të femrave me ndeshjet e javës së tretë të tij.
Ajo që spikat në mes sfidave të kësaj jave, është ballafaqimi në mes ekipeve të “Juban Danjes” dhe Apolonisë së Fierit.
Vetë Federata Shqiptare e Futbollit i ka kushtuar rëndësi maksimale kësaj ndeshje dhe për këtë arsye, ka vendosur që ajo të luhet të shtunën në orën 14.00 në fushën sportive “Reshit Rusi”.
Vajzat e drejtuara nga trajneri Kastriot Preka do të synojnë të ndalin fieraket të cilat e kanë nisur mbarë kampionatin me dy fitore në dy javët e para të tij.
Apolonia konsiderohet sërish një nga rivalet e Vllaznisë në luftën e saj për titullin kampion. Por kjo do të jetë shumë e vështirës sepse ekipi kuqeblu është më i përgatituri dhe duket se edhe sivjet nk do të ketë kundërshtarë.
Nga ana tjetër, Vllaznia kampione në fuqi e vendit, do të luajë në Durrës ndaj Teutës. Kuptohet që vajzat shkodrane do të tentojnë fitoren e tretë në kampionat për të vazhduar kryesimin e renditjes.
Trajneri Nikolin Leka është i bindur në suksesin e rradhës dhe objektivi i tyre i sivjetëm duket se është përveçse t’i fitojë të gjitha ndeshjet, edhe të mos pësojë gol.
Deri më tani ia ka dalë megjithatë do të kërkojë që ta ruajë portën e Raxhimit të paprekut deri në fund. Ekipi tjetër shkodran, ai i Akademisë Ajaks do të luajë në Shkodër ndaj Tirana AS.
Natyrisht që ekipi vendas do ta ketë shumë të vështirë ndaj një ekipi pretendent megjithatë do të mundohet të bëjë më të mirën në këtë përballje.
www.shkodrasport.com