Duket se ka qenë një rrokadë vërtetë e këndshme. Nëse Kreshnik Krepi sonte është zyrtarizuar si trajneri i ri i Adës, nesër pritet të ndodhë e njëjta gjë me Besnik Dulin tek Veleçiku. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë skuadrës koplikase sipas të cilëvë sot Duli ka qenë në Krujë për të ndjekur ndeshjen e luajtur ndaj Burrelit dhe të fituar nga koplikasit me rezultatin 1-0. Ndërkohë mësohet se paraditen e nesërme Duli do të ketë një takim në zyrën e kryebashkiakut- president Ramadan Likaj për të mbyllur marrëveshjen e zyrtarizimit të tij si trajner i Veleçikut.

Diçka vërtetë interesante. Brenda pak ditësh, këta dy trajnerë ishin në kampe të kundërta dhe tashmë do i ndërrojnë ato. Të krijohet përshtypja se ka qenë një marrëveshje e përbashkët në mes presidentëve Likaj e Pjetri. I pari nuk mund të qëndrojë dot pa Besnik Dulin me të cilin ka arritur sukseset më të mëdha gjatë historisë së Veleçikut ndërkohë që edhe i dyti nuk mund të qëndrojë dot pa Krepin, i cili e ka filluar karrierën e trajnerit tek Ada dhe aty duket se shprehet më mirë se kudo tjetër.
Gjergj KOLA

Foto-Lajm

Besnik Duli sot ne Kruje perkrah shoferit te kryebashkiakut Likaj dhe shoferitt te autobuzit te klubit