Çiklistët e Vllaznisë ditën e hënë do të startojnë me të parin aktivitet zyrtar për vitin 2018. Ata do të marrin pjesë në Kupën “26 Marsi” që do të zhvillohet në qytetin e Kavajës.
Një aktivitet ky që është kthyer tashmë në të përvitshëm nga Federata Shqiptare e Çiklizmit në bashkëpunim me Bashkinë e këtij qyteti.
Në të do të marrin pjesë të gjithë çiklistët e vendit dhe padyshim ndër to edhe ata të Vllaznisë.
Këta të fundit kanë muaj të tërë që përgatiten për nisjen e këtyre garave. Trajneri Leonat Kola dhe sportistët e tij padyshim që do të synojnë të jenë fitues edhe në këtë garë në mënyrë që t’i bëjnë një nisje të mirë këtij viti.
Kujtojmë këtu se gjatë vitit 2017, Vllaznia në çiklizëm ka fituar thuajse të gjitha garat e zhvilluara në Shqipëri.
Të njëjtën gjë do të tentojë të bëjë edhe sivjet sepse puna e bërë në stërvitje ka qenë shumë e mirë dhe tek sportistët vërehet një angazhim maksimal për të bërë gjëra të mira sërish.
Çiklistët Bruno Kola, Astrit Kronaj, Alfons Rrashkadoli, Sion Gjoka, Gjergj Zefi apo dhe më të rinjtë Defrim Dholla, Ervis Ramja dhe Arsen Zalli, janë përgatitur prej muajsh për të qenë të suksesshëm.
Edhe në dy edicionet e tjera të kupës “26 Marsi” që zhvillohet me rastin e festës së qytetit të Kavajës, fitues është shpallur çiklisti i Vllaznisë Bruno Kola.
Padyshim që ai do të synojë ta bëjë të vetën këtë kupë për të tretin vit me rradhë por jashtë këtij pretendimi nuk janë as pjestarët e tjerë të ekipit të Vllaznisë që gëzojnë një formë shumë të mirë sportive.
Trajneri Kola ka patur edhe mbështetjen e veteranëve të këtij sporti si Brahim Syka e Hilmi Lala dhe padyshim që të gjithë sëbashku do të tentojnë të rikthejnë çiklizmin shkodran sërish në nivele të larta.
© shkodrasport.com