Nesër në Peqin do të luhet ndeshja Erzeni- Vllaznia, e vlefshme për javën e 15-të të kategorisë së parë. Luhet në fushë asnjanëse sepse ajo e Shijakut është e dënuar nga Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së e ka dënuar dhe jo vetëm kaq, por meqenëse rasti ka qenë i përsëritur, vendimi tjetër i marrë është se kjo ndeshje do të luhet pa praninë e tifozëve.
I pyetur për këtë të fundit, nëse Vllaznia është e favorizuar për faktin se ndeshja luhet në fushë asnjanëse dhe për më tepër pa tifozë, trajneri Lika zbulon një fakt shumë interesant.
“Nuk mendoj se na favorizon fakti që ndeshja do të luhet pa tifozë. Madje dua të them se rezultatet më negative ne i kemi në ndeshjet ku kemi luajtur pa tifozë”- ka thënë ai.
Një fakt interesant sepse futbollistët e Vllaznisë mesa duket nuk arrijnë të motivohen si duhet në fusha dhe stadiume pa tifozë në shkalla.
E kanë treguar këtë gjë në fazën e parë kur Vllaznia barazoi 0-0 në Shënkoll ndaj vendasve ndonëse ndeshja u luajt pa tifozë.
Po ashtu, ekipi shkodran pësoi humbjen e vetme deri më tani, pikërisht në Fushë- Krujë ndaj Ilirisë, kur edhe kjo ndeshje u luajt pa tifozë.
Çfarë do të ndodhë nesër në Peqin? Këtë ende askush nuk mundet ta dijë për momentin megjithatë kuqeblutë duhet të provojnë se mund të fitojë edhe pa praninë e tifozëve dhe nesër ndaj Erzenit të marrin fitoren e rradhës.
© shkodrasport.com