Pasditen e nesërme në Romë të Italisë do të zhvillohet një ndeshje miqësore në mes ekipeve kombëtare të 18 vjeçarëve të Italisë dhe Shqipërisë. Kombëtarja jonë e drejtuar nga Foto Strakosha ka udhëtuar që dje drejt vendit fqinj. Në përbërje të saj do të jetë edhe një futbollist i Vllaznisë pikërisht 17 vjeçari i talentuar Arlind Kalaja. Ai është i vetmi shkodran i thirrur nga trajneri Strakosha për këtë miqësore e cila do të luhet nesër në orën 14.30. Por një lajm shumë interesant vjen nga Italia. Miqësoren në fjalë do ta drejtojë një gjyqtar shqiptar, madje më mirë të themi shkodran.

Ai është Eduard Pashuku. Lajmin e ka bërë të ditur për gazetën online shkodrasport.com vetë gjyqtari i cili është ndjerë i lumtur për një vlerësim të tillë që i ka bërë Federata Italiane e Futbollit. Për këtë gjyqtar kemi shkruar edhe më parë. Eduardi është 24 vjeç dhe jeton prej 14 vitesh në Itali teksa është angazhuar në fushën e gjykimit dhe ka qenë një ndër arbitrat më të mirë në kampionatit të të rinjve, madje në muajin qershor mori edhe kupën si gjyqtari më i mirë nga Federata Italiane e Futbollit. Pikërisht për të gjithë këto, atij i është besuar të gjykojë edhe ndeshjen e nesërme në mes kombëtareve të 18 vjeçarëve të Italisë dhe Shqipërisë.
www.shkodrasport.com