Do jetë ndeshje futbolli femrash por jo vetëm. Nuk do jetë e vlefshme për kampionatin kombëtar por do jetë një ndeshje spektakli. Juban Danja nesër do ketë një kundërshtar shumë të fortë përballë, ekipin e aktorëve të teatrit “Migjeni” në një përballje shumë interesante. Një takim që do luhet pikërisht me 28 nëntor në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” në orën 11.00, në kuadrin e festimeve për 100 Vjetorin e Pavarësisë. Vajzat e Juban Danjës do kenë përballë kundërshtarë shumë të fortë të drejtuar me mjeshtri nga Besnik Çinari.

Presidentja e ekipit të aktorëve është Drande Xhai, por për të arritur fitoren ky ekip sigurisht që do ketë vështirësi pasi sulmuesja kryesore- Zyliha Miloti ka thyer dorën por do zëvendësohet nga Gac Kodrina që do luajë “pykë”. Megjithatë, skuadra e aktorëve ka një përbërje shumë të mirë duke nisur nga dy portierët e pakalueshëm Anton Krosaj dhe Gysi i “Big Brother”-it. Për të vazhduar me Bujar Ademovin, Muhamet Çekinin, Qazim Çelën etj. Për këtë sfidë, ekipet kanë kohë që kanë nisur përgatitjet. Secili prej tyre do kërkojë fitoren. Kush do jetë fituesi? Me siguri që publiku i zjarrtë që do mbushë shkallët e pallatit të sportit. Hyrja është falas, ndeshja është e garantuar që nuk është në skedinë dhe për pasojë, nuk ka arsye pse “Qazim Dervishi” të mos thyhet nga tifozët. Ata që nuk do kenë mundësi ta ndjekin në mënyrë të drejtëpërdrejtë, televizioni Rozafa që ka edhe të drejtën ekskluzive të rregjistrimit, do t’ua mundësojë më vonë. Një sfidë vërtetë interesante në një ditë festive që besojmë se me këtë ndeshje spektakli do bëhet edhe më e bukur.
www.shkodrasport.com