Goçe Sedloski do të nisë aventurën si trajner i Vllaznisë në ndeshjen e nesërme që do të zhvillohet ndaj Erzenit në stadiumin “Loro Boriçi”. Trajneri maqedonas do të debutojë pasditën e nesërme ndaj shijakasve në Shkodër, teksa vlen të theksohet që ai vjen pas sukseseve me Shkupin, ku me Vllazninë ka firmosur një kontratë që e mban të lidhur deri në fund të sezonit tjetër.

Gjatë këtyre katër ditëve, trajneri i ri i kuqebluve është munduar të karikojë maksimalisht futbollistët në katër stërvitjet e para. Në fakt, ditën e sotme ekipi ka mbyllur edhe përgatitjet për sfidën e së nesërmes ndaj Erzenit në stadiumin “Loro Boriçi”, që do të shënojë edhe debutimin e Goçe Sedloskit.

Realisht, gjatë këtyre ditëve ka rënë në sy mënyra që ai ka zgjedhur për të luajtur në vazhdim. Gjasat janë që trajneri Sedloski të luajë me skemën 4-2-3-1, e cila është edhe skema e tij e preferuar, por gjithsesi mbetet për t’u parë pasditën e nesërme se si do të zbresë në fushën e lojës ekipi që ai drejton.

Në fakt, Sedloski njihet si një trajner sulmues në Maqedoni, ç’ka mund ta bëjë më interesante lojën e Vllaznisë në vazhdim. Kështu, me pak fjalë duket se Sedloski do të zgjedhë një tjetër skemë lojë në krahasim me Mirel Josën dhe Auron Milotin, që ndoshta mund të sakrifikojë një nga futbollistët e mesfushës.

Gjithsesi, kjo do të shikohet vetëm pasditën e nesërme ndaj Erzenit, pasi edhe trajneri maqedonas të vendosë për futbollistët që do të hedhë në fushë, pasi është ende mes shumë dilemash. Kujtojmë këtu që, këtë kampionat Erzeni ka qenë një makth për Vllazninë, pasi i ka mundur dy herë dhe u ka marrë një barazim.
Maringlen ZHIVANI