Pak ditë më parë është mbushur plot një vit që prej ndarjes nga jeta të gazetarit të njohur sportiv Ramadan Bigza. Pikërisht për të nderuar kujtimin e tij, shoqata publicistike sportive “Anton Mazreku” dhe Unioni i Gazetarëve shqiptarë kanë vendosur të organizojnë kupën me emrin e tij. Një aktivitet që do të nisë në orën 17.00 dhe do të zhvillohet në kompleksin “Fredi” në Juban.
Në të do të marrin pjesë ekipet e televizioneve të Shkodrës të cilët natyrisht i janë përgjigjur menjëherë pozitivisht ftesës për një organizim të tillë në nderim të një figure kaq të njohur të gazetarisë sportive shkodrane dhe asaj shqiptare. Enkas për të marrë pjesë në këtë kupë kanë ardhur nga Greqia bashkëshortja e Danit dhe djali i tij Bledari ndërkohë që të pranishëm në këtë aktivitet pritet të jenë edhe shumë kolegë, shokë e miq të tij. Sigurisht që koha e zhvillimit të kësaj kupe mund të mos jetë ajo e duhura për shkak të situatës politike dhe angazhimeve të kolegëve tanë apo dhe njerëzve të tjerë në të, por gjithsesi ia vlen një shkëputje prej saj. Qoftë edhe për të sfiduar politikën se shumë jemi lodhur me të. Më shumë rëndësi ka të nderojmë të tilla figura si Ramadan Bigza i cili i ka bërë nder Shkodrës me punën e tij si gazetar për vite e vite me rradhë, si në Shqipëri ashtu edhe në Greqi ku ka jetuar pas viteve ’90.
www.shkodrasport.com