Para 6 vitesh do vinte për herë të parë në kampionatin shqiptar si një i panjohur, por një lojtar premtues i së ardhmes. Po flasim për Liridon Latifin që sot është një nga më të mirët e Superligës dhe pjesë e Vllaznisë. Në sezonin 2015-16 ai do bënte debutimin në kampionat me Skënderbeun.
Shpejt futbollisti me origjinë nga Prishtina do shndërrohej në një ndër më të mirët në vend. Pjesë e Skënderbeut që bëri historinë me fitimin e kampionateve rradhazi, por edhe paraqitjet fantastike në grupet e Europa League. Performanca që bënë të siguronte një transferim jashtë Shqipërisë.
Aventurat jashtë vendit konkretisht me Puskas Akademi në Hungari dhe Sheriff Tiraspol në Moldavi nuk shkuan edhe aq pozitivisht. Rikthimi në kampionatin tonë e më konkretisht tek Vllaznia do vinte këtë verë për Latifin. Sërish duke konfirmuar veten si një ndër më mirët.
E nesër do jetë përballë së shkuarës së lavdishme. Skuadrës që e konfirmoi në elitën e futbollit dhe që i dha shansin të shkëlqente. Tashmë duke përfaqësuar ngjyrat kuqeblu të Vllaznisë, Latifi do kërkojë të vijojë në formën e tij të mirë në këtë kampionat ku numëron 4 gola dhe 6 asiste.
Endri ÇINARI