Nisja mbarë e Botërorit të boksit për boksierët tanë pritet të pasohet me të tjera suksese të tyre. Fitorja e Kristian Demës në ndeshjen e parë ndaj australianit Samy Blyth, duhet të pasohet nesër nga një tjetër fitore e shkodranit Asmer Bilali, edhe ai pjesë e kombëtares sonë në këtë eveniment shumë të rëndësishëm të këtij sporti.
Përballë Bilalit në peshën 69 kg do jetë bjellorusi Muhamed Nurudzinau. Ndërkohë është përcaktuar edhe kundërshtari i Kristian Demës në ndeshjen e dytë të tij teksa do ndeshet me hungarezin Jozsef Darmos me të cilin është ndeshur edhe dy herë të tjera më parë në aktivitete të ndryshme që janë organizuar. Nëse Demaj kalon edhe këtë kundërshtar atëherë rivaliteti shtohet sepse përballë në turin e tretë mund të ketë një boksier azerbajxhanas dhe nëse e kalon edhe atë, atëherë arrihet objektivi për të hyrë në tetëshe dhe për të siguruar një vend për në Lojërat Olimpike. Këtë gjë shpresojmë edhe për Bilalin apo dhe Vrenozin të cilët fillimisht duhet të kalojnë ndeshjet e para njëherë.