E planifikuar fillimisht për t’u luajtur të shtunën, takimi më i rëndësishëm i kampionatit kombëtar të basketbollit për meshkuj, ai në mes Vllaznisë dhe Tiranës, do të luhet të premten në orën 18.00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Sigurisht që bardheblutë janë ekipi për t’u mundur i këtij sezoni megjithatë shkodranët s’kanë ndër mend të heqin dorë kollaj nga pretendimet e tyre pavarësisht se nuk po kalojnë një moment të mirë. Shoqata e basketbollit “Vllaznia” u ka bërë thirrje sot sportdashësve shkodranë të jenë të pranishëm në pallatin e sportit nesër pasdite për t’i mbështetur në këto momente të vështira sepse kanë nevojë për ndihmën e tyre. Edhe trajneri Bledar Gjeçaj në një prononcim të tij për SHKODRA SPORT është shprehur: “Prania e tifozëve do të thotë shumë për ne prandaj u bëj thirrje atyre të na mbështesin ashtu siç kanë bërë këto 3-4 vitet e fundit. Nëse ata na ndihmojnë dhe basketbollistët e mi japin maksimumin e tyre në fushë, unë besoj tek fitorja. Vërtetë Tirana është një ekip për t’u respektuar sivjet për investimin që ka bërë megjithatë ne nuk do të heqim dorë kollaj nga të qënurit kampion. Edhe në fazën e parë në Tiranë, ne luajtëm si të barabartë ndaj këtij kundërshtari. Ndodhi kështu deri në periodën e tretë sepse më pas, me dëmtimin e Bekteshit dhe Shabanit, forca e ekipit tonë ra ngaqë dihet, ne kemi një kontigjent jo të plotë lojtarësh me përvojë. Një pjesë e konsiderueshme janë lojtarë të rinj dhe pikërisht këtu u bë diferenca me Tiranën. Të shpresojmë këtë herë për një paraqitje ndryshe dhe tek një fitore e Vllaznisë”.

© shkodrasport.com