Pasditen e nesërme në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit do të luhet ndeshja e parë e turit gjysmëfinal të play off-it në volejboll për meshkuj në mes ekipeve të Teutës dhe Vllaznisë. Kjo ndeshje do të nisë në orën 18.00 dhe sipas skemës të paracaktuar skuadra e vendit të parë (Teuta) do të ndeshet me atë të vendit të katërt (Vllaznia). Çifti tjetër është Studenti (i dyti) me Tiranën (e treta). Shkodranët janë të vendosur për t’u përfaqësuar denjësisht në këto ndeshje gjysmëfinale paçka se nuk janë të favorizuar shumë nga shorti. Ndeshja e dytë do të luhet më datë 22 mars, po në orën 18.00 por këtë herë në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës. Nëse njëra skuadër i fiton të dyja ndeshjet, atëherë nuk do jetë e nevojshme ndeshja e tretë. Ndryshe, ajo do të zhvillohet më datë 24 mars ora 17.00 në pallatin e sportit “Ramazan Njala” meqë durrsakët janë të favorizuar nga renditja më lart. Vllaznia e trajnerit Artan Kalaja do të provojë të kthehet sërish tek finalja edhe këtë sezon për të pretenduar pse jo edhe titullin kampion. Një titull që mungon prej vitesh megjithatë mund të bëhet realitet ndoshta këtë sezon. Drejtuesi i ri i klubit, ish-volejbollisti Mark Kroqi ka premtuar mbështetje për këtë ekip dhe gjërat në të ardhmen pritet të jenë më të mira për të.
www.shkodrasport.com