
Ndeshjet miqësore në mes ekipit të basketbollit të Ulqinit dhe Vllaznisë vazhdojnë sërish. E rradhës do jetë nesër mbrëma (e mërkurë) në orën 18.00 në pallatin e sportit të këtij qyteti. Lajmi konfirmohet nga presidenti i klubit ulqinak Ilir Taflaj që është njëkohësisht një mik i mirë i drejtuesve shkodranë, madje njëkohësisht ai mban edhe postin e anëtarit të kryesisë së Federatës Shqiptare të Basketbollit. Kjo miqësore do të jetë një test real për shkodranët në prag të nisjes së ndeshjeve të play-off-it. Megjithatë në këtë fundjavë ata do të zhvillojnë ndeshjen e fundit të fazës së dytë të kampionatit, atë me ekipin e Shoqatës Tirana. Kjo e fundit ka dalë nga objektivat e saj për të qenë ndër katër ekipet më të mira të kampionatit që do vazhdojnë më tej garën dhe në këtë kontekst, nuk pritet të jetë një ballafaqim shumë i fortë ai me Vllazninë. Në kushte të tilla, trajneri Bledar Gjeçaj ka kërkuar një ndeshje miqësore gjatë këtyre ditëve dhe klubi i Ulqinit i është përgjigjur pozitivisht. Madje ekziston mundësia që ekipi shkodran të vazhdojë stërvitjen deri të premten në qytetin malazez të populluar nga shqiptarët. Kjo ngaqë ata nuk mund të stërviten dot në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës ngaqë ai është i zënë me ringun e boksit për shkak të Memorialit ndërkombëtar që do të zhvillohet këtë fundjavë aty. Në kushte të tilla, nesër ia vlen një miqësore me ekipin e Ulqinit që është një nga më të mirët e kampionatit malazez të basketbollit.
Gjergj KOLA