Ndeshja mes Bylisit dhe Skënderbeut e vlefshme për javën e 9-të të Superiores është mbyllur me fitoren e korçarëve. Sfida e zhvilluar në Ballsh, përfundoi 0-1 në favor të miqve. Pas kësaj sfide ka folur trajneri i ballshiotëve, Nevil Dede.

“Më vjen keq si u shpërdorua ndeshja. Ajo që më vjen më shumë keq është situata me 2 kundër 1 ose 3 kundër 2 në fazën mbrojtëse… Kjo sjell panik dhe dëmton skuadrën. Unë kam marrë një detyrë të vështirë dhe e di. Është një skuadër e re me moshë mesatare.

Ndoshta emocionet për të bërë diçka më shumë seç ata mund të bëjnë, solli dhe gabimet. Duhet të rrimë me kokën lart dhe të bëjmë punë. Nuk gabuam taktikisht, por është gjendje psikologjike dhe emocionale. Kur ke një numër të caktuar lojtarësh për të futur në fushë, normal që zëvendësimet janë çift.

Unë mendoj se emocioni kaloi mbi mundësitë që lojtarët kanë. Ti ke topin në këmbë dhe nuk mund t’ja japësh kundërshtarit. Edhe zëvendësuesit gabuan. Po punojmë, por duhen rezultatet. Nuk shënojmë gol, siç pësojmë në një moment delikat të ndeshjes.

Treni më në qendër? Vje nga një periudhë dëmtimesh dhe sot mori formacionin. Nuk ia doli dot të bënte shumë, prisja më shumë nga ai. Duhet të markojë më shumë, duhet të rikuperojë më shumë topa. Për dyluftimet ka të bëjë me cilësitë individuale”, tha Nevil Dede.