Trajneri i Bylisit, Nevil Dede, e ka cilësuar pozitiv barazimin e skuadrës së tij me Dinamon, teksa ka ironizuar me faktin që ekipit iu anulua një gol në këtë sfidë nga VAR-i.
“Më vjen keq për djemtë. Të jem i sinqertë, tentova deri në fund të fitonim, bëra dy zëvendësime përpara. Ajo që më vjen keq për djemtë është që nuk po rregullojmë një element të rëndësishëm, goditjet standarte. Duke pasur parasysh një skuadër të mirëorganizuar, mirëinvestuar dhe një trajner ekspert si Daja, besoj se para ndeshjes mund të ishte gjithkush i kënaqur me një barazim.
Besoja diçka tjetër realisht. Arritëm deri diku të vinim në vështirësi kundërshtarët, nuk menduam si duhet avantazhin. Kjo është e vërtetë, por në momente të caktuara një përqindje të madhe duhet edhe fati. Ndoshta mungesa e aftësisë tonë për të çuar topin drejt rrjetës. Unë mundohem t’i justifikoj çunat, por në ndonjë moment duhet ta bëjmë atë dreq goli. Pavarësisht se sot bëmë dy gola, mund të bënim edhe të tjerë.
Nuk e menaxhuam si duhet avantazhin në disa minuta, u bëmë vetëm më dy linja dhe po vuanim sidomos nga krahët që arrinin në fundore. Na rrezikuan dy herë realisht, shpërdoruan edhe ata. Erik sot nuk kishte freskinë e duhur, por nuk po mbanim më topin. U mundova që bëra zëvendësimet pas barazimit, por nuk ia dolëm dot pastaj. Është skuadër që realisht është një pikë besimi për ata, jam i mërzitur që mund të merrnim më shumë, edhe kundërshtari ndoshta pretendon. Por duke parë rastet që shpërdoruam ne, mund të merrnim më shumë.
Keqardhja që po mundohem të shpreh për djemtë dhe pikët, është se nuk po rregullojmë dot goditjet standarte. E përmenda edhe në ndeshjen e kaluar bënë ndeshje ndoshta në perfeksion, por Teuta mund të barazonte në fund të pjesës së parë. Kjo është ajo që më mërzit pak. Realisht është një pikë që bën mirë për djemtë. Një skuadër e re që fiton besim, po fitojmë djem të rinj që meritojnë komplimente. Marku brenda pesë ditësh bën dy ndeshjet e tij të para për 90 minuta. Përgjoni është hera e parë në Superiore, po bëhet i rëndësishëm në skuadër si dhe Erik që na ka dhënë siguri, përpos lojtarëve të tjerë aktualë”, tha Dede për RTSH pas ndeshjes.