Humbja e thellë e Dinamos ndaj Laçit 5-0 ka trazuar ujërat në kampin dinamovit. Nevil Dede foli për zhgënjimin e trajnerit Bledi Shkëmbi pas takimit i cili i tërhoqi “veshin” futbollistëve të tij.
Në rolin e analistit në “Skaner”, ai i bëri thirrje korçarit që ta shohë problemin në gjenezë, pra nga ndërtimi i ekipit që në fillimin e sezonit. Në fund theksoi se futbollistët i ka afruar vetë dhe nuk duhen kryqëzuar.
“E kam thënë dhe e them me forcë. Është skuadër e keqndërtuar. Nuk ka zëvendësuar, por ka pak lojtarë me vlera reale që mund t’i shërbejnë. Ka shfaqur probleme të mëdha psikologjike. Është futur në kampionat me mendimin se do të dominojë kundërshtarët. Presionin psikologjik s’e kanë mbajtur në asnjë ndeshje. Të marrësh shumë gola tregon se sistemi yt nervor nuk duron.
Të gjitha këto të vënë para një dileme të madhe, ti i dashur (Shkëmbi) apo klubi nuk ke lojtarët e duhur. Këtu duhet të reflektojnë të gjithë nga drejtuesit. S’mund të sulmosh lojtarët në këtë situatë.
Lojtarët i thirre aty, nuk i gjete aty dhe s’kishe çfarë të kishe të bësh. Nëse ke humb veten në dhomat e zhveshjes, unë mendoj se nuk ke çfarë të bësh më aty. Por, besoj se Shkëmbi ka qenë emotiv”, tha për emisionin “Skaner”./newsport/