Vllaznia e ka nisur mbarë kampionatin e ri dhe pas dy javësh ndodhet në krye të renditjes. Madje duke lënë pas edhe Tiranën kampione dhe ajo çka është më interesante këto skuadra do të ndeshen me njëra- tjetrën në “Loro Boriçi” në kuadrin e javës së tretë të kampionatit.
Duke analizuar nisjen e kampionatit nga ekipi shkodran, Nevil Dede në emisionin “Gol pas Goli” ka shprehur edhe një dëshirë për “klasiken” e futbollit shqiptar teksa është shprehur:
“Janë 6 pikë mëse të merituara nga Vllaznia në këto dy javë kampionat. Sot, ndoshta mund të kishte shënuar edhe më tepër gola, megjithë respektin për atë që u mundua të jepte Skënderbeu.
Vllaznia është më solide se dy kundërshtarët që ka kaluar, Apolonia dhe Skënderbeu. Ajo ka shumë lojtarë në organikë, ka dyfishim pozicionesh. Pastaj sesa e vërtetë do të jetë kjo skuadër në vazhdimin e kampionatit, mbetet për t’u parë.
Skuadra, tifozët e saj duhet ta shijojnë këtë moment që janë në vend të parë. Më vjen keq që ata nuk mund të jenë në stadium për ta ndarë me skuadrën këtë moment të mirë pas shumë kohësh.
E bukura është se në javën e tretë, Vllaznia do të presë Tiranën në fushën e saj dhe do të ishte një përballje shumë e bukur sepse është klasikja e futbollit shqiptar”./SHKODRA-SPORT.COM/