Sulmuesi i Brazilit, Neymar, ka thënë se nuk e miraton kritikën e fundit të Pele ndaj tij. Ish-fituesi i Kupës së Botës ishte i zëshëm, pas simulimeve të tepruara të Neymar në Botërorin e Rusisë, verën e kaluar, teksa tha se 26-vjeçari duhet të fokusohet vetëm te futbolli.
“Kritikat e Pele? Nuk i kam parë ato si interesante, – tha Neymar për “Canal”. – Sapo ju nuk fitoni, kritikat vijnë. Unë kurrë nuk kam qenë duke simuluar gjatë Kupës së Botës në Rusi, thjesht kam qenë subjekt i faulleve nga kundërshtarët.
Sot njerëzit flasin shumë për këtë, sepse është Neymar dhe gjithçka përforcohet. Unë i respektoj kritikat e Pele, por nuk i miratoj ato”.
Pele kishte thënë më parë: “Është e vështirë ta mbrosh Neymar për të gjitha gjërat që bën, përveç futbollit. Kam biseduar me të dhe ia kam kujtuar aftësitë e tij.
Ai ishte i pafat, sepse Brazili nuk fitoi Kupën e Botës dhe u veçua në kritikat që mori. Unë kam qenë me të në Europë dy herë, kemi biseduar dhe i kam shpjeguar: Perëndia ju dha dhuratën e madhe, talentin në futboll, gjë që ju e komplikoni”.
Ndërsa jeta me ekipin kombëtar mund të jetë e vështirë për Neymar, për momentin, futbolli në rang klubi po i buzëqesh. Ish-lojtari i Barcelonës shënoi një “hat-trick” në fitoren e jashtëzakonshme 9-0 kundër Guingamp, të shtunën.
Pavarësisht se duket rehat me jetën pariziene, Neymar është lidhur vazhdimisht me një largim nga klubi kampion i Ligue 1, gjë që nuk e përjashtoi në të njëjtën intervistë me “Canal”, megjithëse mohoi ndonjë gjë të afërt në horizont: “Thashethemet për mua nuk mungojnë asnjëherë, por nuk ka asgjë konkrete. Sapo të ketë diçka të sigurt, unë do të flas për këtë, ju garantoj”.
Udhëheqësit e Ligue 1 do të përballen me Manchester United në Ligën e Kampionëve, diçka për të cilën Neymar thotë: “Unë dua të fitoj gjithçka, veçanërisht Ligën e Kampionëve, pasi është ëndrra e çdo futbollisti. Manchester United do të jetë një kundërshtar i vështirë, sepse tashmë po luan vërtet mirë.
Çfarë na mungon për ta fituar Ligën e Kampionëve? Ne duhet të rritemi në këtë kompeticion. Të gjithë duhet të sulmojnë dhe të mbrojmë mirë. Ne ishim të mirë në mbrojtje në ndeshjet e para, por do të bëhemi edhe më të mirë”.