Neymar është një nga lojtarët më të mirë në botë. Pavarësisht aventurës së tij në Arabinë Saudite dhe eksperiencës së re larg qendrës së vëmendjes në futbollin europian, askush nuk dyshon në aftësitë e tij. Braziliani ishte një nga ata të përzgjedhur që ishin thirrur të “ulen në të njëjtën tryezë” me Messin dhe Cristiano Ronaldon për nag talenti dhe cilësia.

Për shumë njerëz, Neymar e humbi mundësinë për t’u bërë një nga lojtarët më të mirë në botë, ndoshta edhe i historisë. “Princi që nuk donte të bëhej mbret…”; një teori që është përhapur si rrufe qysh nga transferimi i tij te PSG-ja dhe për të cilën youtuberi The Grefg e pyeti brazilianin.

“Nuk është se nuk doja të isha mbret, por për mua mbret i futbollit është vetëm një dhe ai është Pelé. Ndodhën shumë gjëra, pata shumë dëmtime që më kushtuan shumë në karrierë, ndoshta Zoti e deshi kështu. Nuk kam arsye të jem i trishtuar, përkundrazi”, – shpjegoi Neymar.

Braziliani u shpreh mirënjohës për gjithçka ka arritur në karrierë dhe jetë: “Jam shumë i lumtur me karrierën dhe jetën time. Gjithçka që ëndërrova e realizova, pothuajse gjithçka, madje arrita edhe gjëra që as nuk i kisha ëndërruar. Jam shumë mirënjohës ndaj Zotit që më ndryshoi jetën, atë të familjes sime dhe të miqve të mi. Kjo është gjëja më e rëndësishme për mua”.(telesport)