Neymar zhvilloi një bisedë me Romarion, ku foli për përshtatjen e vështirë dhe largimin e tij nga Barcelona (‘arratisja e shekullit’), për bisedat e tij me Leo Messin te ‘Can Barça’ dhe marrëdhënien me Kylian Mbappé te PSG.

“Mbappé nuk është i mërzitshëm. Kam pasur gjëra me të, patëm një zënkë të vogël, por ai ishte vendimtar për ne kur erdhi. Unë e quaja atë ‘Golden Boy’ (Djaloshi i Artë). Gjithmonë kam luajtur me të, kam thënë se do të bëhej një nga më të mirët. Gjithmonë e kam ndihmuar, kam folur me të, ka ardhur në shtëpinë time, kemi darkuar bashkë”, – shpjegoi lojtari aktual i Al Hilal për ‘O Baixinho’.

Mbappé mbërriti te PSG nga Monaco në vitin 2017, po atë vit kur Neymar kaloi nga Barcelona te PSG për një nga transferimet më të mëdha në historinë e futbollit (222 milionë euro).Neymar zbuloi në programin e Romarios xhelozitë e supozuara të Mbappé te PSG, pas transferimit të Messit: “Kemi pasur disa vite të mira bashkëpunimi, por pasi erdhi Messi, ai (Mbappé) ishte pak xheloz. Pastaj pati disa zënka, një ndryshim në sjellje”.

Lidhur me dështimet e përsëritura të PSG-së në Ligën e Kampionëve, pavarësisht blerjeve milionëshe, Neymar beson se ekipi francez nuk arriti të kontrollojë dhe të drejtojë egot e yjeve të tij: “Është mirë të kesh ego, por duhet ta dish që nuk luhet vetëm. Duhet të jetë një djalë tjetër pranë teje. Kishte ego të mëdha pothuajse kudo, nuk mund të funksionojë kështu. Nëse askush nuk vrapon dhe askush nuk ndihmon, është e pamundur të fitosh asgjë”.

Neymar, i cili luajti te Barcelona nga viti 2013 deri në 2017, i tregoi Romarios për fillimet e tij të vështira në Spanjë: “Arrita te Barcelona në moshën 21 ose 22 vjeç, sapo kisha fituar Kupën e Konfederatave kundër Spanjës. Nuk ndihesha mjaftueshëm i sigurt për të luajtur atje. Kalova 6 muaj pa mundur të dribloja askënd, duke bërë gjithçka gabim”.

Por një bisedë me Messin e ndihmoi Neymarin ta kapërcente presionin dhe të përshtatej me kërkesat e Barcelonës: “Një ditë më zuri një dëshpërim i plotë, shkova në pushimin mes pjesëve të ndeshjes kundër Athletic shumë i zemëruar, fillova të qaja. Messi trokiti në derë dhe më pyeti pse po qaja. Ia ktheva që nuk kisha asgjë. Ai më tha se ishte aty për të më ndihmuar dhe se duhet të luaja futbollin që luaja te Santosi, pa presione. Tha se mund të mbështetesha tek ai. Pas kësaj, fillova të luaja me më shumë besim, më shumë emocion dhe gjërat filluan të funksionojnë”, – kujtoi braziliani.

Neymar shpjegoi ambiciet që e shtynë të largohej nga Barcelona pas katër sezoneve të mëdha, ku fitoi tetë trofe: “Motivimi im nuk ishte të fitoja çmime individuale… Nuk e ndoqa atë mendim, për të qenë i sinqertë. Nuk u largova nga Barça me idenë për t’u bërë më i miri në botë. Në javën time të fundit në Barcelonë, Messi më pyeti: Pse po ikën? A do të bëhesh më i miri në botë? Unë do të të bëj më të mirin në botë. Por nuk ishte kjo, ishin arsye të tjera personale. Sigurisht, ekonomikisht te PSG isha shumë më mirë sesa te Barcelona. Pastaj kishte brazilianë që luanin atje (Thiago Silva, Marquinhos, Daniel Alves dhe Lucas), të gjithë ishin miqtë e mi. Mora një rrezik përsipër, por nuk ishte me idenë për t’u bërë më i miri në botë”.

Neymar, i cili nuk e fsheh ambicien për të tentuar ta fitojë ‘Topin e Artë’, pranoi se momenti i tij më i mirë si futbollist ishte te PSG: “Kulmi im, momenti im më i mirë ishte te PSG. Duke luajtur si te PSG, padyshim do ta fitoja ‘Topin e Artë’. Sidoqoftë, pata shumë dëmtime, që më penalizuan. Është e qartë që çdo lojtar dëshiron ta fitojë ‘Topin e Artë’, por nuk është diçka që më përmbys jetën”.

Neymar (32 vjeç), i cili është në radarët e disa ekipeve të MLS, nuk e përjashtoi mundësinë për t’u rikthyer në futbollin brazilian kur të përfundojë kontratën me Al Hilal./telesport/