Neymar siguroi se nënshkroi një kontratë me Santosin për gjashtë muaj, e cila mund të zgjatet. Megjithatë ai theksoi se është ende shumë herët për të folur mbi zgjatjen e marrëveshjes me klubin Brazilian, ku u bë i njohur në botë dhe ku kthehet gati 33 vjeç.
“Është një kontratë për gjashtë muaj, që mund të zgjatet. Varet nga unë, do të angazhohem 100%, nuk ka kuptim të kthehem këtu vetëm prej emrit që kam. U ktheva për të luajtur, për të qenë i lumtur, për të shënuar gola dhe për ta ndihmuar Santosin”, – tha Neymar në sallën e shtypit të stadiumit “Vila Belmiro”, pas prezantimit para mijëra tifozëve.
Ai siguroi para dhjetëra gazetarëve të pranishëm se nuk ka ardhur për të “shëtitur”, as për të “qëndruar në shtëpi ulur në divan”: “Vij për të kërkuar lumturinë, për të luajtur futboll dhe për ta ndihmuar Santosin”.
Numri 10 gjithashtu theksoi se ka hequr dorë “nga shumë gjëra” për t’u kthyer, teksa falënderoi Santosin që i hapi sërish dyert e klubit: “Ka qenë një martesë e përsosur”.
Për të ardhmen e tij, përtej këtyre gjashtë muajve, ai tha se nuk e di se çfarë mund të ndodhë “nesër,” sepse “dy javë më parë” as nuk e imagjinonte ta vazhdonte karrierën në vendin e tij të lindjes.
Neymar shpreson që kthimi te Santosi ta ndihmojë gjithashtu të kthehet në përfaqësuesen braziliane, me vështrim nga Kupa e Botës 2026, për të cilën tha se do të jetë ndoshta e fundit që do të luajë.
“Ende kam diçka për të fituar, një mision që mendoj se do të jetë i fundit dhe do të shkoj për të në çdo mënyrë. Kam qëllime ambicioze para vetes”, – tha ai, duke theksuar se është ende një futbollist kompetitiv.
Neymar nënshkroi këtë të premte kontratën me Santosin, në të cilin do të mbajë numrin legjendar 10, që e ka veshur Edson Arantes do Nascimento, ‘Pelé’, idhulli më i madh i klubit.
Sulmuesi i talentuar u kthye pasi prishi kontratën e tij të majme me Al-Hilal, ku luajti vetëm 7 ndeshje dhe shënoi një gol në pak më shumë se një vit./telesport/