Lista e lojtarëve të ftuar në turneun e bamirësisë për “kombëtaren e yjeve” të Shqipërisë, ka shkaktuar jo pak polemika. Kundër Andi Lilës, presidentit të sindikatës së futbollistëve, që ka marrë përsipër edhe hartimin e kësaj liste, kanë dalë shumë ish- futbollistë të njohur të cilët kanë dhënë një kontribut të madh për kombëtaren kuqezi në vite.

Ajo që ka bërë përshtypje në Shkodër padyshim që ka qenë mungesa e të paktën një përfaqësuesi të këtij qyteti në “skuadrën e yjeve”, ndonëse emrat kanë qenë të shumtë.

Për t’i dalë në mbrojtje shkodranëve ka menduar Alban Neziri, drejtori teknik aktual i Akademisë Vllaznia. Në një prononcim për “Shkodra Sport” në lidhje me këtë çështje, ai e fillon me një batutë: “Lila më duket se ka ngatërruar listën e kombëtares me listën e të ftuarve në dasmën e tij”.

Më poshtë ai ka folur edhe për mungesën e një ftesë për emrat e shumtë të futbollit shkodran që duhej të ishin në këtë ndeshje. “Duke filluar nga Sabah Bizi e Ramazan Rragami që duhej të kishin një ftesë për të qenë të paktën të pranishëm, e për të vazhduar emra të tjerë që mund të ishin në fushë, duke filluar nga Ferid Rragami, Roland Luçi, Hysen Zmijani, Fatbardh Jera, Rudi Vata, Ilir Kepaj, Avenir Dani, Armir Grima, Vioresin Sinani, Elvin Beqiri, Admir Teli e deri tek i fundit, Hamdi Salihi. Një shkodran të paktën duhej të ishte i ftuar në këtë ndeshje sepse kanë dhënë shumë për ekipin tonë kombëtar”- ka thënë Neziri.

Më pas ai vazhdon: “Organizimi i një ndeshje të tillë është një përgjegjësi shumë e madhe dhe ai që merr përsipër ta bëjë këtë gjë, duhet të bëjë shumë kujdes sepse kemi të bëjmë me njerëz që kanë luajtur me dinjitet për kombëtaren tonë në vitet më të vështira të kombit tonë.

Kemi të bëjmë me ata futbollistë që dhanë gjithçka dhe pa asnjë përfitim financiar. Jemi rritur me këto njerëz e jemi krenar me to, ne në Shkodër por edhe kudo në Shqipëri e jashtë saj, prandaj e përsëris, duhej të ishte bërë një kordinim shumë i mirë, bashkë edhe me FSHF-në për këtë organizim”.
© shkodrasport.com