Tradita është prishur. Dikur sfidat Tirana- Vllaznia konsideroheshin derbi i vërtetë i futbollit shqiptar ndërsa tani, këto përballje nuk të dhurojnë asnjë emocion. Madje, po prodhojnë edhe incidente. I tillë ishte edhe rasti i para pak ditëve kur tifozët e Tiranës gjuajtën me gurë dhe thyen xhamat e autobuzit të tifozëve të Vllaznisë.Një veprim i tillë është ironizuar nga njëri prej drejtuesve të klubit shkodran, pikërisht përgjegjësi teknik i Akademisë së tij, Alban Neziri i cili ka thënë:
“Dikur Tirana na “gjuante” me topa dhe na shënonte gola në portën tonë ndërsa tani, tiranasit na gjuajnë me gurë dhe na thyejnë xhamat. Llogarite ku kanë përfunduar. Një klub i cili nuk bën asnjë deklaratë publike për të kërkuar falje për incidentin e ndodhur ose së paku, për t’u distancuar prej këtij akti të turpshëm. Kjo tregon më së miri se tifozët e kësaj skuadre e kanë marrë “peng” këtë klub me traditë dhe kjo është e rëndë” .
© shkodrasport.com