Alban Neziri, drejtori i sportiv në Bashkinë e Shkodrës dhe një nga drejtuesit e akademisë Vllaznia, ka folur për situatën që po kalon Vllaznia. Ai e shikon në rritje ekipin kuqeblu, pavarësisht se shumë nga tifozët e specialistët prisnin një skuadër më agresive dhe me më shumë forcë sulmuese në takimin e fundit ndaj Kukësit.

Sipas tij, pavarësisht atij barazimi, Vllaznia bëri një ndeshje të mirë në Kukës, duke ditur edhe atë që kërkonin vendësit. Neziri mendon se skuadra ka shumë mundësi që të arrijë të jetë përmes kampionatit në Kupat e Europës. Ndërsa beson shumë te fitorja në përballjen ndaj Tiranës dhe te vlerat e Sinanit si një “ish” i të dyja ekipeve në drejtimin e Vllaznisë e po ashtu edhe tek ajo që do të tregojë Bala në përballje të tilla.


Si ju duk paraqitja e Vllaznisë ndaj Kukësit?

Besoj se ishte një ndeshje e mirë, pavarësisht se të gjithë prisnim që Vllaznia ta fitonte atë takim. E quaj ndeshje të mirë, sepse Kukësi, pavarësisht situatës në të cilën gjendet, është një skuadër e mirë. Ne na nevojiteshin pikët maksimale dhe prandaj u shikua si një ndeshje që nuk solli atë që prisnim.


Çfarë ngjet me këtë skuadër që nuk ka nxjerrë dy ndeshje njëlloj?

Normalisht se ndeshja-ndeshjes nuk i ngjet. Sepse ekipet janë të ndryshme në lojtarë, në sistem. Unë them se Vllaznia nuk u soll ndryshe, pavarësisht se e theksova se nuk na kënaqi pika sepse kërkonim të gjithë maksimumin.


Barazimi mund të quhet një rezultat pozitiv?

Besoj se ishim nisur për 3 pikë, por shpresoj se me barazim jemi mirë, vetëm humbja nuk duhet të ndodhë tani në këto momente.

Si e vlerësoni ardhjen e një trajneri si Sedloski në krye të ekipit?

Unë mendoj se kur nuk ka rezultate i pari që vuan pasojat është stafi teknik, për një arsye e për një tjetër dua që ta falënderoj Mirelin për gatishmërinë e respektin që ka lënë në klubin tonë si njeri e profesionist i mirë.


Çfarë duhet që të ndryshojë tekniku i ri?

Trajneri është një ekspert në atë që po paraqet në stërvitje, sepse ka dhënë prova me rezultatet e tij në Maqedoninë e Veriut, Kroaci etj. Për më tepër ka qenë një lojtar i mirë, i cili ka luajtur në ligat më të mira të Europës. Ka shumë për të dhënë te Vllaznia. Vlerësohen kualitetet që ka Vllaznia.


A kanë dhënë ato më të mirën?

Janë munduar të japin më të mirën, por nuk e kemi pasur në asnjë takim ekipin e plotë. Kjo po ndodh edhe tani. Megjithatë, le të shpresojmë që të gjithë do të dinë të tregojnë vlerat e tyre. Në fundjavë një klasike me Tiranën.


Si e shikoni këtë sfidë?

Një superndeshje kjo klasike e futbollit shqiptar. E presim me padurim e shpresoj që të kënaqimtifozët me një rezultat pozitiv që kësaj here ka vetëm një emër, fitore. Në stol një “ish” i këtyre sfidave që ka qenë pjesë e tëdyja ekipeve si Sinani, e në fushë një tjetër si Balaj.


Dy sulmues që kanë qenë përherë faktorë në klasiketë tilla…?

Është kënaqësi e nder që një emër, një emblemë si Vior Sinani, është pjesë e Vllaznisë si drejtor sportiv. Bëhet fjalë për një njeri e personalitet i rrallëqë me përuljen e tij ka bërë të dashurohen shumë njerëz me futbollin. Kur ishte ai në fushënë përballje të tilla edhe aroma e golit ishte më afër. Lojtarë të tillë u kanë dhënë përherë bukuri këtyre sfidave, si kur kanë qenë me Vllazninë e po ashtu edhe kur e kemi pasur përballë si kundërshtar.


Prisni që Balaj të jetë sërish faktor në të tilla takime?

Balaj është dhe do të jetë faktor në ekipin tonë. Do të doja shumë që Bala të ishte protagonist, jo me një asist apo penallti të fituar si në takimin tjetër ndaj Tiranës, por të ishte protagonist me një gol në këtë takim. Objektiv tani i Vllaznisë vetëm Europa…?Normalisht që Europa i ka mbetur përmes kampionatit dhe kam shumë dëshirë që ajo të vijë edhe përmes fitimit të Kupës.